§ 5

« § 4 § 6 »

ë-ja paratheksore shkruhet në këto raste: 

  1. në fjalët e parme e në të gjitha fjalët ku ajo i takon rrokjes së parë, si edhe në fjalët e formuara prej tyre: 

    argëtoj, bagëti, bërryl, dëgjoj, dënesë, dëshirë, fëlliq, fëmijë, gëmushë, gërryej, gëzof, gëzhojë, gogësij, gumëzhij, gjëmoj, hingëllin, këlysh, këmishë, kënaq, këndellem, këndoj, kënetë, këpucë, këpucar, këpushë, këput, të këqij, kërcej, kërrabë, kërrusem, këshill, kushëri, lëkurë, lëmoshë, lëndoj, lëpij, lëpjetë, lëpushkë, lëshoj, mallëngjej, të mëdhenj, mëkat, mënyrë, mësoj, mësim, mëshoj, mushkëri, ndërroj, ndërresë, shndërroj, pagëzoj, pagëzim, pëllet, pëllëmbë, pëllumb, përrallë, pështjelloj, pështyj, psherëtij, qëroj, rrëfanë, rrëfim, shëllirë, shëmtoj, shëtit, tëhu, trashëgoj, thëllëzë, thërres, thërrime etj.; 

    dëboj, dëborë, dëlir, (i, e) dëlirë, dërrasë, gëzoj, kësaj, kësisoj, kësodore, kështu, këta, këtë, këtij, (i, e) këtillë, këtej, këtu, lëfyt, lëkund, i lëkundshëm, lëmekem, lëvozhgë, mëditje, mësyj, mësymje, sëmundje, shpëlaj, tëharr, tëholl etj.[1] 

  2. në fjalë të prejardhura, të formuara nga një temë më me anë prapashtesash që nisin me bashkëtingëllore, dhe në fjalë të përbëra e të përngjitura që kanë si pjesë të parë një temë të tillë më -ë, të ndjekur nga një temë që nis me bashkëtingëllore: 

    anëtar, anëtarësi (anë); armëtar (armë); atëror, atësi (atë); bardhësi (i bardhë); botëror, botërisht (botë); bulëzim (bulë); burrëri, burrëror (burrë); copëtoj, copëtim, copëzoj (copë); drejtësi (i drejtë); flakëroj, flakërimë (flakë); frikësoj (frikë); frymëzoj, frymëzim (frymë); ftohtësi (i ftohtë); gojëtar, gojëtari (gojë); gjatësi (i gjatë); gjellëtore (gjellë); gjerësi (i gjerë); gjithësi, përgjithësisht (gjithë); gjuhësi, gjuhësor, gjuhëtar (gjuhë); gjunjëzoj (gjunjë); hollësi, hollësisht (i hollë); këmbësor, këmbësori (këmbë); kordhëtar (kordhë); lartësi, lartësoj (i lartë); lehtësi, lehtësoj (i lehtë); luftëtar (luftë); mbarësi (i mbarë); mirësi, përmirësoj (i mirë); pemëtore, pemëtari (pemë); pikëllim, pikërisht (pikë); pjesëtoj, pjesëtim (pjesë); plotësoj, plotësisht (i plotë); punëtor, punëtori (punë); qetësi (i qetë); rreptësi, rreptësisht (i rreptë); rrogëtar (rrogë); shkallëzim (shkallë); shkishëroj (kishë); shpejtësi (i shpejtë); shterpësi (shterpë); tokësor, tokëzim (tokë); trashësi (i trashë); thatësi (i thatë); thellësi (i thellë); udhëtar, udhëtim (udhë); urtësi (i urtë); valëzoj, valëzim (valë); vështirësi (i vështirë); vjershëtor (vjershë); zbetësi (i zbetë) etj.; 

    anëshkrim, armëpushim, atëherë, bashkëfjalim, bashkënxënës, bashkëpunoj, bashkëshorte, botëkuptim, bukëpjekës, buzëqesh, cipëtrashë, çfarëdo, datëlindje, derëbardhë, dorëheqje, dorëshkrim, dorëzanë, dhjetëfishoj, dhjetëvjetor, fletëgjerë, frymëmarrje, gojëdhënë, gojëmjaltë, grevëthyes, gjashtëdhjetë, gjashtëmbëdhjetë, i gjithëfuqishëm, gjithëkombëtar[2], gjuhëgjatë, gjysmëhënë, gjysmëkoloni, hundëshkabë, i jashtëzakonshëm, jetëdhënës, jetëgjatë, këmbëzbathur, këngëtar, kokëfortë, llërëpërveshur, mbarëvajtje, mirëbërës, mirëbesim, mirëdita, i mirëfilltë, pesëvjeçar, pikënisje, pikëpamje, pjesëmarrje, pulëbardhë, qafëgjatë, shumëfishoj, shumëkëmbësh, vetëdashje, vetëqeverisje, vetëshërbim, vetëvendosje, vërej, vërejtje etj. 

    Shënim 1. Për shkak të ngulitjes prej kohësh, të shqiptimit dhe të shkrimit në gjuhën letrare shkruhen pa -ë- fjalët: amtar, besnik, fillestar, furrtar, kishtar, lojtar, meshtar, nevojtar, nevojtore, ngatërrestar, pishtar, rojtar, zyrtar; atdhe. 

    Shënim 2. Nuk shkruhet ë-ja paratheksore te fjalët e përbëra, kur gjymtyra e dytë fillon me zanore: bashkatdhetar, bashkautor, bashkudhëtar (bashkë); gojëmbël (gojë); i gjithanshëm (gjithë); kokulur (kokë); i shumanshëm (shumë) etj. (por: njëanësi, i njëanshëm, zëëmbël, sepse ë-ja fundore te gjymtyra e parë e tyre është e theksuar). 

  3. po kështu shkruhen me ë (si zanore mbështetëse) edhe fjalët e prejardhura, që, megjithëse formohen nga tema më bashkëtingëllore, kanë një strukturë fonetiko-fjalëformuese të ngjashme me atë të fjalëve të mësipërme: 

    armiqësi (armiq); besnikëri (besnik); bujqësi (bujq); djallëzi (djall); dobësi (i dobët); fajësi, pafajësi, shfajësoj (faj); fshatarësi (fshatar); fundërri (fund); gjakësi, gjakësor (gjak); hapësirë (hap); harkëtar (hark); kalbëzoj (i kalbët); keqësoj, keqësim (keq); kombësi, kombëtar, ndërkombëtar (komb); krejtësisht (krejt); kryqëzor (kryq); lajmëtar, lajmëroj (lajm); lavdëroj, lavdërim (lavd); ligësi (i lig); madhësi, madhështor (i madh); malësi, malësor (mal); mbretëri (mbret); miqësohem, miqësor, miqësisht (miq); mjekësi, mjekësor (mjek); pakësoj (pak); plehëroj, plehërim (pleh); pleqëroj, pleqësi (pleq); qytetëroj, qytetërim (qytet); robëri, robëroj (rob); shëndetësi (shëndet); shfrytëzoj, shfrytëzim (fryt); shkrifëroj, shkrifërim (shkrif); Shqipëri, shqipëroj (shqip); shtetëror (shtet); trimëri (trim); vargëtar (varg); vazhdimësi (vazhdim); zdrukthëtar, zdrukthëtari (zdrukth) etj. 

    Shënim. Nuk shkruhen me ë

    1. fjalët e prejardhura që formohen prej temash me një bashkëtingëllore me anë të prapashtesave -tar(e), -tor(e), -ti, -toj

      arsimtar, arsimtare (arsim), çlirimtar (çlirim), flamurtar, flamurtare (flamur), gjyqtar (gjyq), kujdestar (kujdes), lundërtar (lundër), mishtar (mish), oborrtar (oborr), pajtimtar (pajtim), prestar (pres), shkaktar (shkak), shqiptar (shqip), shtegtar (shteg), tregtar (treg), themeltar (themel), zelltar (zell); fajtor (faj), leshtor (lesh); pastërti (i pastër), tregti (treg); caktoj, përcaktoj (cak), dëmtoj (dëm), ëmbëltoj (i ëmbël), robtohem (rob), shkaktoj (shkak), shpeshtoj (shpesh), shqiptoj (shqip), shtegtoj (shteg), tregtoj (treg) etj.[3]

    2. fjalët e prejardhura, të cilat formohen prej temash më bashkëtingëllore të lëngëta (-r, -I, -ll) që e kanë theksin mbi rrokjen e parafundit: 

      afërsi (afër), egërsi (i egër), epërsi (i epër), katërshor (katër), letërsi (letër), misërnike (misër), motërzim (motër), poshtërsi (i poshtër), vjetërsi (i vjetër), zgjuarsi (i zgjuar); ëmbëlsi, ëmbëlsoj (i ëmbël), vogëlsi (i vogël); miellzim (miell), popullsi, popullzoj (popull), rregullsi (rregull) etj. 

  4. në fjalët e prejardhura, të formuara prej temash më -ër,-ërr, -ël, -ës, -ëz, me anë prapashtesash që fillojnë me zanore: 

    arbëror, arbëresh (arbër), ashpëroj (i ashpër), breshëri (breshër), çiltëri (i çiltër), dimëroj, dimëror, dimërim (dimër), dhelpëri (dhelpër), emëroj, emërore, emërues (emër), femërore (femër), gjarpëroj, gjarpërushe (gjarpër), gjelbërim (i gjelbër), misërishte, misërok (misër), mjeshtëri, mjeshtërisht, mjeshtërok, mjeshtëror (mjeshtër), numëror, numërim, numëroj (numër), poshtëroj, poshtërim (i poshtër), shtrembëroj, shtrembërim (i shtrembër), urdhëresë, urdhëroj, urdhërore (urdhër), varfëri, varfëroj (i varfër), verbërisht (i verbër), zemërim, zemëroj (zemër) etj.; me ë paratheksore shkruhen edhe disa trajta shumësi që janë fonetikisht të ngjashme me fjalët e tipit të mësipërm, si gishtërinj, gjarpërinj, priftërinj, zotërinj, po ashtu edhe formimet e tipit mbretëreshë, priftëreshë, zotëroj; 

    ëndërrim, ëndërroj (ëndërr), picërroj (picërr) etj.;

    vegjëli, vogëlimë, zvogëloj, zvogëlim (i vogël) etj.;

    nëpunësi (nëpunës), përgjegjësi (përgjegjës), rrobaqepësi (rrobaqepës) etj.; 

    bulëzoj (bulëz), njerëzi, njerëzor (njerëz) etj.[4] 

    Shënim. Nuk shkruhen me ë paratheksore fjalët e prejardhura, të formuara prej temash më -ër me anë prapashtesash që fillojnë me zanore, kur përpara -ë-së ndodhet vetëm një nga bashkëtingëlloret b, d, f, j, k, p, t, v ose një nga grupet -nd-, -st-

    algjebrik (algjebër), dibran (Dibër), librar, librari (libër); kodrinë, kodrinor (kodër), lodroj (lodër), shkodran (Shkodër); afri, afrim, afroj (afër); ajri, ajroj, ajrim, ajror (ajër); lakror (lakër), mjekrosh (mjekër), mokrar (Mokër); epror (i epër), teproj, tepricë (tepër), veproj, veprim (vepër); katror (katër), letrar (letër), vjetrohet, i vjetruar (i vjetër); zgavroj (zgavër); cilindrik (cilindër), lundroj, lundrim (lundër), njëthundrak (thundër); gjirokastrit (Gjirokastër), kadastroj, kadastrim (kadastër), lustroj, lustrim (lustër), ministri, ministror (ministër), pastroj, pastrim (i pastër), regjistroj, regjistrim (regjistër) etj.[5] 



[1] Shkruhen pa ë fjalët arsye, arsej, arsim, arsimtar dhe ato që formohen prej tyre. 

[2] Nuk shkruhet ë-ja paratheksore të përemrat e pakufishëm, te ndajfoljet e të lidhëzat e përngjitura që kanë si pjesë të parë fjalët gjithë ose kurrë: gjithçka, gjithçmos, gjithfarë, gjithherë, gjithkah, gjithkund, gjithkush, gjithmonë, gjithnjë, gjithsaherë, gjithsecili, gjithsekush; kurrfarë, kurrgjë, kurrkund, kurrkush, kurrsesi etj. Po kështu shkruhet pa pjesa e parë e fjalëve vetvete, vetvetiu dhe e fjalëve të formuara prej tyre: vetvetor, i vetvetishëm. 

[3] Po kështu shkruhen pa -ë- edhe fjalët tradhtar, tradhti, tradhtisht, tradhtoj. 

[4] Në pajtim me drejtshkrimin e ngulitur prej kohësh shkruhet përgënjeshtroj, përgënjeshtrim (gënjeshtër), kokrrizë (kokërr), puçrrizat (puçërr). 

[5] Në pajtim me drejtshkrimin e ngulitur prej kohësh shkruhet dhëndëri, dhëndëroj (dhëndër), gjëndërohem (gjëndër), motëri (motër), sipërore, sipëri (sipër).