§ 9

« § 8 § 10 »

Nuk shkruhen me ë fundore: 

a) emrat dhe mbiemrat me -ël, -ër, -ërr, -ëz, -ull, -ur, të cilët në emëroren e pashquar të njëjësit nuk e kanë theksin në rrokjen e fundit: 

bukël, gogël, pupël, thnegël etj.; (i, e) ëmbël, (i, e) vogël etj.; 

dhelpër, gënjeshtër, motër, numër, zemër etj.; (i, e) ashpër, (i, e) shurdhër, (i, e) verbër etj.; 

kokërr, puçërr, vjehërr etj.; 

arkëz (arkë), dhëmbëz (dhëmb), fshikëz (fshikë), gishtëz (gisht), lidhëz (lidh), mollëz (mollë) etj.; (i, e) bukurëz etj.; 

hatull, kumbull, nofull, rregull, shpatull, tingull, tjegull, vetull etj.; 

flutur, hekur etj.; (i, e) bukur, (i, e) lumtur etj.; 

b) emrat dhe mbiemrat që në shumësin e pashquar dalin më një nga bashkëtingëlloret -gj, -q, -j, -nj, të prira nga një zanore, si në emërore, ashtu edhe në të gjitha rasat e tjera: 

zogj, zogjve, zogjsh; të ligj, të ligjve, të ligjsh etj.; 

fiq, fiqve, fiqsh; miq, miqve, miqsh; pleq, pleqve, pleqsh etj.; 

bij, bijve, bijsh etj.; 

drunj, drunjve, drunjsh; ftonj, ftonjve, ftonjsh; heronj, heronjve, heronjsh; hunj, hunjve, hunjsh; thonj, thonjve, thonjsh etj. 

Shënim. Po kështu shkruhen pa -ë- para nyjës -të dhe mbaresave të shumësit emrat: 

cjep (cjap) - cjeptë, cjepve, cjepsh; 

desh (dash) - deshtë, deshve (por deshësh); 

djem (djalë) - djemtë, djemve, djemsh; 

dhen - dhentë, dhenve, dhensh; 

qen (qen) - qentë, qenve, qensh. 

c) trajtat rasore të shumësit të emrave dhe të mbiemrave që mbarojnë me dy bashkëtingëllore në emëroren e pashquar të shumësit, si edhe të atyre që mbarojnë me -l, -r, -s, -z (këta emra dhe mbiemra para nyjës -t të trajtës së shquar dhe para mbaresës -sh të rrjedhores marrin një -i-): 

bujq - bujqve, bujqish, bujqit; krushq - krushqve, krushqish, krushqit; peshq - peshqve, peshqish, peshqit; tirq - tirqve, tirqish, tirqit; ujq - ujqve, ujqish, ujqit; murgj - murgjve, murgjish, murgjit; të ëmbël - të ëmbëlve, të ëmblish, të ëmblit; të vegjël - të vegjëlve, të vegjlish, të vegjlit; etër - etërve, etërish, etërit; mbretër - mbretërve, mbretërish, mbretërit; i bukur - të bukurve, të bukurish, të bukurit; i egër - të egërve, të egrish, të egrit; i pjekur - të pjekurve, të pjekurish, të pjekurit; blerës - blerësve, blerësish, blerësit; ndihmës - ndihmësve, ndihmësish, ndihmësit; nëpunës - nëpunësve, nëpunësish, nëpunësit; nxënës - nxënësve, nxënësish, nxënësit; punonjës - punonjësve, punonjësish, punonjësit; sulmues - sulmuesve, sulmuesish, sulmuesit; shitës - shitësve, shitësish, shitësit; vendës - vendësve, vendësish, vendësit; njerëz - njerëzve, njerëzish, njerëzit etj.; 

ç) trajta e rrjedhores së pashquar të emrave që në shumës mbarojnë me zanore të theksuar: 

grash, kalash, shtëpish, byrosh, drush, sysh etj. 

Po kështu shkruhen edhe: 

më dysh (dy), më trish (tri), si edhe dyfish, trefish etj.; 

d) mbiemrat e formuar me prapashtesat -(ë)m, -shëm

i epërm (i epër), i jashtëm (jashtë), i mesëm (mes), i ndryshëm (ndryshe), i nesërm (nesër), i sipërm (sipër), i sotëm (sot), i tashëm (tash), i tepërm (tepër), i vetëm (vetë) etj.; 

i ardhshëm, i brendshëm, i gatshëm, i këndshëm, i kujdesshëm, i ndershëm, i nevojshëm, i pafajshëm, i përbotshëm, i vjetshëm etj.; 

dh) mbiemrat e formuar nga emra, numërorë e ndajfolje me theksin mbi rrokjen e parafundit: 

(i, e) akullt (akull), (i, e) avullt (avull), (i, e) hekurt (hekur), (i, e) misërt (misër), (i, e) panumërt (numër), (i, e) rregullt (rregull), (i, e) thekërt (thekër), (i, e) katërt (katër), (i, e) tepërt (tepër) etj.; 

e) pjesoret (dhe mbiemrat përkatës) më -ur, -ier, -yer, -uar

(i, e) ardhur, (i, e) dashur, (i, e) veshur etj.; (i, e) zier etj.; (i, e) kryer, (i, e) thyer etj.; (i, e) bluar, (i, e) zgjuar etj.; 

ë) trajtat e vetës së parë dhe të tretë të shumësit të së tashmes dëftore e lidhore të foljeve me temë më bashkëtingëllore ose më -ie

(të) djegim, (të) djegin; (të) flasim, (të) flasin; (të) hapim, (të) hapin; (të) mbjellim, (të) mbjellin; (të) mbledhim, (të) mbledhin; (të) presim, (të) presin; (të) tjerrim, (të) tjerrin etj.; 

(të) biem, (të) bien; (të) shpiem, (të) shpien; (të) shtiem, (të) shtien etj.; 

f) trajtat e shumësit të së pakryerës së dëftores e të lidhores te të gjitha foljet: 

(të) ecnim, (të) ecnit, (të) ecnin; (të) ishim, (të) ishit, (të) ishin; (të) kishim, (të) kishit, (të) kishin; (të) lyenim, (të) lyenit, (të) lyenin; (të) punonim, (të) punonit, (të) punonin; (të) ushqenim, (të) ushqenit, (të) ushqenin; (të) zinim, (të) zinit, (të) zinin etj.; 

g) trajtat e shumësit të së kryerës së thjeshtë të foljeve me temë me bashkëtingëllore, si edhe trajtat e shumësit të kësaj kohe që përmbajnë një grup zanoresh: 

humbëm, humbët, humbën; bindëm, bindët, bindën; lidhëm, lidhët, lidhën; dogjëm, dogjët, dogjën; ftohëm, ftohët, ftohën; ikëm, ikët, ikën; u kollëm, u kollët, u kollën; vdiqëm, vdiqët, vdiqën; gjetëm, gjetët, gjetën; u ngjitëm, u ngjitët, u ngjitën; pyetëm, pyetët, pyetën etj.; 

përziem, përziet, përzien; thyem, thyet, thyen; rrëfyem, rrëfyet, rrëfyen; kënduam, kënduat, kënduan etj.; 

gj) trajtat e urdhërores të foljeve që te kjo mënyrë e kanë temën me bashkëtingëllore: 

bjer; çel, çelni; fol, folni; ec, ecni; hip, hipni; hyr; ik, ikni; jep, jepni; lër; shpjer; shtjer; zër, përzër; zhduk, zhdukni etj.; 

h) përemrat dëftorë (i, e) atij, (i, e) këtij, (i, e) asaj, (i, e) kësaj, si edhe përemrat pronorë (i, e) tij, (i, e) saj (dhe jo i atijë, e sajë etj.).