Shkruhet ë-ja fundore te fjalët me theks që në krye të herës
në rrokjen e parafundit, duke u ruajtur ajo edhe në trajtat e tyre ku s'është
më fundore.
Kështu, shkruhen me -ë:
-
emrat femërorë si bukë, fjalë - fjalës, fjalën, fjalët,
fjalëve, fjalësh; punë, zhurmë etj.; po kështu edhe numërorët si dhjetë, mijë
etj. (dhjetë - dhjetës, dhjetën, dhjetëra; mijë, mijëra etj.).
Shkruhen me -ë gjithashtu emrat mashkullorë që shkojnë pas
lakimit të emrave femërorë si babë, dajë, gegë, toskë etj.; Kolë, Lekë etj.;
-
disa emra mashkullorë dhe shumica e emrave mashkullorë që
përdoren edhe si asnjanës:
atë, burrë, djalë, gjalmë, gjumë, kalë, lëmë, lumë; ballë
(balli, ballët), brumë (brumi, brumët), djathë (djathi, djathët), drithë, drithëra,
dyllë, dhallë, dhjamë, gjalpë, mjaltë, ujë, ujëra etj.;
-
mbiemrat dhe ndajfoljet e tipit (i, e) butë - butë, (i,
e) ftohtë - ftohtë, (i, e) gjallë - gjallë, (i, e) gjatë - gjatë, (i, e) lehtë
- lehtë, (i, e) mirë - mirë, (i, e) ngrohtë - ngrohtë, (i, e) shkretë -
shkretë, (i, e) vonë - vonë.
Në çiftet e fjalëve më poshtë mbiemrat shkruhen me -ë,
ndajfoljet pa -ë:
(i, e) drejtë - drejt, drejtpërdrejt, drejtshkrim; (i, e)
fortë - fort, (i, e) kotë - kot, (i, e) lartë - lart, i lartpërmendur; (i, e) ligshtë
- ligsht, (i, e) mbrapshtë - mbrapsht, (i, e) mjaftë - mjaft, (i, e) plotë -
plot, i plotfuqishëm; (i, e) shpejtë - shpejt, (i, e) thjeshtë - thjesht, (i,
e) vërtetë - vërtet; po kështu: larg, pak, pakkush, shkurt;
-
mbiemrat e formuar me anën e prapashtesës -të nga emra
njërrokësh ose me theks në rrokjen fundore, si edhe nga folje që mbarojnë me zanore:
(i, e) artë (ar), (i, e) drunjtë (dru), (i, e) gurtë (gur),
(i, e) leshtë (lesh), (i, e) pambuktë (pambuk), (i, e) zjarrtë (zjarr) etj.;
(i, e) metë (mej), (i, e) mpitë (mpij), (i, e) ndytë (ndyj),
(i, e) thatë (thaj);
po kështu edhe numërorët rreshtorë:
(i, e) dytë (dy), (i, e)
tretë (tre), (i, e) pestë (pesë), (i, e) gjashtë (gjashtë), (i, e) dymbëdhjetë
(dymbëdhjetë), (i, e) njëzetë (njëzet), (i, e) njëzetenjëtë (njëzet e një), (i,
e) gjashtëdhjetë (gjashtëdhjetë), (i, e) miliontë (milion) etj.;
-
trajtat e shumësit të emrave dhe të mbiemrave mashkullorë
si:
afrikanë, amerikanë, arabë, bullgarë, docentë, dynymë,
feudalë, fishekë, francezë, gramë, grekë, gjumashë, hektarë, hutaqë, kilogramë,
kroatë, kuintalë, laborantë, lejlekë, lekë, maturantë, matjanë, mekanikë,
memecë, motakë, partizanë, përtacë, pionierë, punëtorë, rebelë, romakë, rosakë,
serbë, spanjollë, studentë, shkrimtarë, shoferë, shqiptarë, tonë, traktoristë,
(artikuj) ushqimorë, ushtarë, veshë etj.
Kjo -ë shkruhet në të gjitha rasat e shumësit, edhe kur nuk
është fundore:
partizanë - partizanësh, partizanët, partizanëve; grekë -
grekësh, grekët, grekëve; punëtorë - punëtorësh, punëtorët, punëtorëve.
Shënim. Trajta e emërores dhe e kallëzores së pashquar
shumës e emrave të njësive të masave që burojnë nga emra njerëzish shkruhet pa
ë fundore, por në rasat e tjera të shumësit të pashquar dhe në të gjitha rasat
në shumësin e shquar pas temës shkruhet -ë-:
20 amper, 50 om, 300 herc, 220 volt, 60 vat etj.; 15
amperët, 120 voltëve, 30 vatësh etj.
-
trajtat e emërores dhe të kallëzores së shquar të
shumësit të emrave dhe të mbiemrave mashkullorë që në trajtën e pashquar
mbarojnë me një bashkëtingëllore dhe që janë njërrokësh ose që e kanë theksin
në rrokjen e fundit:
bijtë (bij), deshtë (desh), djemtë (djem), dhentë (dhen),
miqtë (miq), të rinjtë (të rinj), thonjtë (thonj) etj.;
armiqtë (armiq), barinjtë (barinj), të mëdhenjtë (të
mëdhenj) etj.;
-
trajtat e shquara të rasave të zhdrejta të njëjësit dhe
të emërores e të kallëzores shumës të emrave femërorë që mbarojnë me zanore të
theksuar:
bukuri - bukurisë, bukurinë, bukuritë; byro - byrosë,
byronë, byrotë; dhi - dhisë, dhinë, dhitë; gjë - gjësë, gjënë; kala - kalasë,
kalanë, kalatë; e re - së resë, të renë; rrufe - rrufesë, rrufenë, rrufetë
etj.;
po kështu shkruhen edhe shkurtimet e gjinisë femërore që në
emëroren e pashquar shqiptohen me theks mbi rrokjen e fundit:
ATSH-së (ATSH), OKB-në (OKB), SMT-të (SMT);
-
emrat e formuar me prapashtesën -zë prej temash që
mbarojnë më zanore të theksuar, si edhe emrat me këtë prapashtesë që kanë
pësuar një shpërngulje theksi në rrokjen e parafundit (ndryshe nga emrat e
tipit arkëz, lidhëz);
qelizë, syzë, vezë; dorezë, kokrrizë, librezë, varrezë etj.;
-
emrat femërorë më -më (të parmë a të prejardhur) si:
astmë, basmë, dasmë, diafragmë, dogmë, gjysmë, kazmë,
krismë, nismë, sintagmë (dhe jo basëm, dasëm, gjysëm);
-
përemrat pronorë ynë, jonë, tanë, tonë, sonë, të mitë, të
tutë, të tijtë, të sajtë;
-
numërorët themelorë si pesë, gjashtë, shtatë, tetë,
nëntë, dhjetë, dymbëdhjetë, pesëdhjetë etj.;
-
foljet me temë më zanore, në vetën e parë dhe të tretë të
shumësit të së tashmes dëftore e lidhore:
(të) mbajmë, (të) mbajnë; (të) blejmë, (të) blejnë; (të)
vëmë, (të) vënë; (të) dimë, (të) dinë; (të) fshijmë, (të) fshijnë; (të)
punojmë, (të) punojnë etj.
Po kështu, kryesisht për arsye morfologjike, shkruhen edhe
foljet me temë me grup zanoresh, të ndjekur nga një -j:
(të) përziejmë, (të) përziejnë; (të) thyejmë, (të) thyejnë;
(të) ruajmë, (të) ruajnë, (të) shkruajmë, (të) shkruajnë etj.;
-
trajtat foljore të shumësit të së kryerës së thjeshtë, të
cilat dalin me një zanore:
lamë, latë, lanë (laj); blemë, bletë, blenë (blej); bëmë,
bëtë, bënë (bëj); fshimë, fshitë, fshinë (fshij); zumë, zutë, zunë (zë); hymë,
hytë, hynë (hyj) etj.;
-
trajta e vetës së tretë njëjës e mënyrës lidhore te të
gjitha foljet, duke përfshirë edhe ato me tog zanor, ku -ë-ja shkruhet për arsye
morfologjike:
të humbë, të lidhë, të mbjellë, të përmendë etj.;
të hyjë, të gjejë, të lajë, të pijë, të thajë etj.;
të përziejë, të shkruajë, të thyejë etj.;
-
pjesoret e foljeve me temë me zanore a me -l, -ll, -r,
-rr dhe mbiemrat e nyjshëm të formuar prej tyre:
qarë, blerë, bërë, pirë, fryrë, mjelë, vjelë, mbjellë,
sjellë, marrë, nxjerrë etj.;
(i, e) bërë, (i, e) pirë, (i, e) mbjellë, (i, e) nxjerrë etj.
Po kështu shkruhen edhe pjesoret si:
dhënë, ngrënë, qenë, thënë, vënë, zënë etj.
Pjesoret me temë më tog zanor, të cilat theksin e kanë në
rrokjen e parafundit, shkruhen pa -ë në fund:
përzier, kryer, lyer, mësuar, punuar, shkruar etj.
|