§ 20

« § 19 § 21 »

Nuk përdoret apostrofi: 

  1. në të gjitha rastet e tjera, në të cilat ë-ja fundore e patheksuar ndiqet nga një fjalë që fillon me zanore, pavarësisht nga shqiptimi: 

    vajzë e urtë, fushë e bukur, shtëpinë e madhe, miqësisë e vëllazërisë, është e vërtetë, hanë e pinë, të enjten, vajzës së urtë, të ardhurat, në ato vende, në oborr, në arë, më erdhi keq, le të ikim, në iktë, më i madhi, që atëherë etj.; 

  2. në të gjitha fjalët që mbarojnë me një zanore tjetër (a, e, i), kur ato ndiqen nga një fjalë a trajtë fjale që nis me zanore: 

    fusha e Myzeqesë, një lule e bukur, detyrë urgjente, zyrë eprore, mali i lartë, drejtori i shkollës, biri i nënës etj. (dhe jo fush'e Myzeqesë, një lul'e bukur, mal'i lartë, drejtor'i shkollës, bir'i nënës etj.); 

  3. në vetën e tretë njëjës e shumës të përemrave vetorë të thjeshtë (pa parashtesë), kur këta vijnë pas një parafjale: 

    me të, për të, me ta, për ta, me to, për to, prej tij, prej saj, prej tyre, prej sish, prej sosh etj. (dhe jo me 'të, për 'të, me 'ta, me 'to, për 'to, prej 'tij, prej 'saj, prej 'tyre, prej 'sish, prej 'sosh etj.); 

  4. te trajtat e përemrave pronorë që nisin me s ose t (sime, sonë, suaj, tim, time, tënd, tënde, tanë, tonë, tona, tuaj etj.); 

    vajzës sime, shkollës sonë, kooperativës suaj, jepjani suajës etj.; 

    djalin tim; e kam timin; shtëpinë time; në fshatin tënd; në rrugën tënde; e kemi tonin; shoqen tonë; shokët tanë; jemi tanët; dëshirat tona; qytetin tuaj; ne tonën, ju tuajën etj.