§ 94

« § 93 § 95 »

Fillon me shkronjë të madhe fjala e parë e çdo teksti të shkruar, si edhe fjala e parë e një fjalie ose periudhe që vjen pas pikës, shumëpikëshit, pikëpyetjes, pikëçuditjes dhe dy pikave, kur këto shënojnë mbarimin e një fjalie të veçantë a të një periudhe të mëparshme. 

Shënim. Kur pikëpyetja, pikëçuditja ose shumëpikëshi vihet pas ligjëratës së drejtë dhe në fjalët e autorit, që vijojnë, tregohet se kujt i takon ligjërata e drejtë, pas shenjave të mësipërme, fjala e parë shkruhet me shkronjë të vogël, p.sh.: 

— Po ju, si shkuat? — pyeti komisari partizanët; 

— Ku jeni, or shokë, se po ju kërkojmë! — tha pastaj njëri prej tyre; 

— M'u duk djalë i mirë... — i thashë unë. 

Po kështu shkruhet me shkronjë të vogël fjala e parë pas shumëpikëshit që shënon ndërprerje gjatë ligjëratës dhe jo mbarimin e fjalisë a të periudhës së mësipërme, p.sh.: 

Ky tavan është i ulët... tavani i shtëpisë sonë është më i lartë dhe i lyer me bojë të gjelbër.