Emrat e përgjithshëm si rrugë, bulevard, stadium, shesh, lagje, hotel, kinema, teatër, ndërmarrje, kooperativë, uzinë, kombinat, hidrocentral, vapor, shkollë, klub, gazetë, revistë, roman, poemë, dramë, opera, balet, këngë, çetë, batalion, brigadë etj., që përcaktohen nga një emër a emërtim i përveçëm në rasën emërore, i vënë ndërmjet thonjëzash[1], shkruhen me shkronjë të vogël: rruga «Asim Vokshi», rruga «Kongresi i Përmetit», bulevardi «Dëshmorët e Kombit», bulevardi «Republika», stadiumi «Dinamo», sheshi «Avni Rustemi», sheshi «Heronjtë e Vigut», sheshi «Skënderbej», lagjja «Çlirimi», lagjja «24 Maji»; hotel «Adriatiku», hotel «Dajti», kinema «17 Nëntori», kinema «Morava», teatri «Aleksandër Moisiu», teatri «Migjeni», ndërmarrja bujqësore «8 Nëntori», ndërmarrja e ndërtimit «Perlat Rexhepi», kooperativa bujqësore «Ylli i kuq», uzina «Drini», uzina «Partizani», kombinati ushqimor «Ali Kelmendi», hidrocentrali «Karl Marks», hidrocentrali «Lenin», vapori «Vlora», shkolla «Bajram Curri», shkolla «Katër Dëshmorët», shkolla «Liria», shkolla pedagogjike «17 Nëntori», klubi «Flamurtari», klubi «Tomori»; gazeta «Zëri i Popullit», revista «Nëntori», romani «Lumi i vdekur», poema «Prishtina», drama «Familja e peshkatarit», drama «Toka jonë», opera «Skënderbeu», baleti «Halili dhe Hajria», kënga «Marshim partizan»; çeta «Selam Musaj», batalioni «Fuat Babani», batalioni «Hakmarrje», brigada «Shkurte Pal Vata» etj. Kur emërtimet e mësipërme përdoren më vete (jo në fjali) në tabelat, dokumentet e shpalljet zyrtare, shkruhet me shkronjë të madhe edhe fjala e parë. Me shkronjë të madhe shkruhen gjithashtu emrat shesh, rrugë, lagje etj., kur ata janë pjesë e emërtimit të përveçëm përkatës: Rruga e Barrikadave, Sheshi i Flamurit, Lagjja e Re, Klubi i Manastirit etj. |