Emërtimet zyrtare (të sotme ose historike) të institucioneve të shtetit e të partisë të vendit tonë, si edhe emërtimet e organizatave shoqërore e të njësive ushtarake kryesore shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe të fjalëve shërbyese); po kështu veprohet edhe në rastet e ngjashme në kumtimet e në dokumentet zyrtare: Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Kuvendi Popullor, Presidiumi i Kuvendit Popullor, Këshilli i Ministrave i Republikës Popullore të Shqipërisë, Fronti Demokratik i Shqipërisë, Këshilli i Përgjithshëm i Frontit Demokratik, Bashkimet Profesionale të Shqipërisë, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, Bashkimi i Rinisë së Punës të Shqipërisë, Komiteti Qendror i Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, Bashkimi i Grave të Shqipërisë, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit të Grave të Shqipërisë, Partia Komuniste e Shqipërisë, Rinia Komuniste Shqiptare, Ushtria Popullore, Ushtria Nacionalçlirimtare, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar, Kryqi i Kuq Shqiptar, Bashkimi i Përgjithshëm i Kooperativave të Konsumit, Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Luftës të Popullit Shqiptar, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Tregtisë, Akademia e Shkencave e Republikës Popullore të Shqipërisë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Biblioteka Kombëtare, Banka e Shtetit Shqiptar, Komiteti i Kulturës dhe i Arteve, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Instituti i Lartë Shtetëror i Bujqësisë, Instituti i Shkencave, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Fakulteti Ekonomik, Drejtoria e Përgjithshme e Ekonomisë Komunale, Teatri Popullor, Teatri i Operës dhe i Baletit, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Komiteti i Partisë i Rrethit të Beratit, Këshilli Popullor i Rrethit të Shkodrës, Korparmata I, Divizioni II, Brigada I Sulmuese etj.[1] Shënim. Emërtimet e kategorive të mësipërme, kur përdoren si emra të përgjithshëm, shkruhen me shkronjë të vogël: u bënë zgjedhjet e këshillave popullore të rretheve; do të shkoj në komitetin ekzekutiv; ky universitet nuk ka fakultet mjekësie etj. [1] Në rastet kur një pjesë e emërtimit zyrtar të një institucioni, organizate etj. përdoret për të përfaqësuar gjithë emërtimin, kjo pjesë shkruhet me shkronjë të madhe: ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Jashtme, drejtori i Ekonomisë Komunale etj. |