§ 79

« § 78 § 80 »

Emërtimet e periudhave, të ngjarjeve, të akteve e të dokumenteve historike me rëndësi kombëtare ose ndërkombëtare, të monumenteve historike e të monumenteve të kulturës shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave dhe ;të fjalëve shërbyese): 

Çlirimi (zhvillimi ekonomik pas Çlirimit), Reforma, Rilindja, Rilindja Kombëtare Shqiptare, Tanzimati etj.; 

Antanta, Antanta e Vogël, (fuqitë) e Boshtit, Internacionalja Komuniste, Internacionalja e Parë, Komuna e Parisit, Konferenca e Ambasadorëve, Konferenca e Labinotit, Konferenca e Paqes, Konferenca e Pezës, Kongresi VI i PPSH, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Kongresi i Lushnjës, Kongresi i Manastirit, Kongresi i Përmetit, Kuvendi i Lezhës, Lëvizja Nacionalçlirimtare, Lidhja e Prizrenit, Lufta e Dytë Botërore, Lufta Nacionalçlirimtare, Lufta Njëqindvjeçare, Lufta e Vlorës, Mbledhja e Beratit, Nata e Shën Bartolemeut, Njëqind Ditët, Operacioni i Dimrit, Qeveria e Përkohshme e Durrësit, Reforma Agrare, Republika e Tretë, Revolucioni Socialist i Tetorit, Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, Traktati i Londrës, Traktati i Shën Stefanit, Traktati i Versajës etj.; 

Dekreti i Paqes, Dekreti i Tokës, Karta e Kombeve të Bashkuara, Karta e Madhe e Lirive, Kushtetuta e RPSH, Letra e Hapur e KQ të PPSH, Memorandumi i Gërçes, Tezat e Prillit etj.; 

Shtëpia e Partisë, Kalaja e Gjirokastrës, Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut (Tiranë), Mauzoleumi i Dëshmorëve (Durrës), Manastiri i Ardenicës etj.; 

Monumenti i Shpalljes së Pavarësisë (Vlorë), Monumenti i Luftëtarit Kombëtar (Korçë), Monumenti i Skënderbeut (Tiranë, Krujë), Ura e Mesit, Xhamia e Ethem beut (Tiranë) etj. 

Shënim. Emërtimet e epokave gjeologjike, historike e të formacioneve historiko-shoqërore që nuk janë emra të përveçëm, shkruhen me shkronjë të vogël: 

diluvi, jura, kuaternari etj.; koha e re, mesjeta, neoliti, paleoliti etj.; feudalizmi, komuna primitive, kapitalizmi, komunizmi etj.