§ 78

« § 77 § 79 »

Emërtimet gjeografike e territoriale-administrative, si edhe emrat e tjerë të vendeve shkruhen me shkronjë të madhe: 

Adriatiku, Alpet, Ballkani, Buna, Dajti, Devolli, Drini, Joni, Karpatet, Labëria, Luma, Mirdita, Myzeqeja, Sazani, Skrapari, Shari, Shqipëria, Tomori, Vjosa, Vlora etj. 

Pjesët përbërëse të një emërtimi gjeografik a të një emri vendi prej dy a më shumë fjalësh shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave, lidhëzave e parafjalëve): 

Amerika Latine, Azia e Vogël, Bishti i Pallës, Bjeshkët e Nemuna, Bregu i Detit, Bregu i Fildishtë, Bregu i Matës, Briri i Artë, Deti i Bardhë, Deti i Kuq, Deti i Vdekur, Deti i Zi, Drini i Bardhë, Fusha Mbret, Gadishulli Ballkanik, Gadishulli Iberik, Gropa e Shkodrës, Guineja e Re, Guri i Bardhë, Guri i Hasit, Guri i Pishkashit, Gjiri Arabik, Gjiri Persik, Ishulli i Lezhës, Kepi i Gjelbër, Kepi i Shpresës së Mirë, Kodra e Kuqe, Komsomolsk-mbi-Amur, Kunora e Dardhës, Kunora e Lurës, Lëndina e Lotëve, Lugjet e Verdha, Lumi i Vlorës, Maja e Hekurave, Malësia e Madhe, Malësia e Mbishkodrës, Mali i Bardhë, Mali i Gjerë, Mali i Zi, Mali me Gropa, Oqeani i Ngrirë i Veriut, Përroi i Thatë, Poli i Jugut, Poli i Veriut, Qafa e Gjarprit, Qafa e Thanës, Qafa e Zezë, Reç-e-Dardha, Rrafshi i Dukagjinit, Rruga e Barrikadave, Sheshi i Demostratave, Sheshi i Flamurit, Shkalla e Tujanit, Shkëmbi i Kavajës, Shtegu i Dhenve, Tenda e Qypit, Toka e Zjarrtë, Ura e Shtrejtë, Vau i Dejës, Vendet e Ulëta, Zelanda e Re etj. 

Shënim 1. Emrat e përgjithshëm gjeografikë si breg, buzë, çukë, det, fushë, gadishull, grykë, gji, hundë, istëm, ishull, kanal, kep, kodër, krua, liqen, lumë, majë, mal, ngushticë, përrua, qafë, qytet, sukë, she, shkretëtirë, shpellë, tropik, vargmal etj., kur nuk janë pjesë përbërëse e një emërtimi të përveçëm, por përdoren si përcaktues të një emri gjeografik ose përcaktohen prej tij, shkruhen me shkronjë të vogël: 

çuka e Ajtojt, deti Adriatik, deti i Kinës Jugore, fusha e Korçës, fusha e Myzeqesë, gadishulli i Ballkanit, gryka e Këlcyrës, gjiri i Vlorës, hunda e Karaburunit, istmi i Korintit, ishulli i Sazanit, kanali i Korfuzit, kanali i Myzeqesë, kanali i Suezit, kepi i Rodonit, kroi i Zejmenit, liqeni Balaton, liqeni i Prespës, liqeni i Shkodrës, lumi i Matit, lumi i Tiranës, maja e Korabit, maja e Radohinës, mali i Dajtit, ngushtica e Bosforit, ngushtica e Gjibraltarit, përroi i Munellës, qafa e Llogorasë, qyteti i Fierit, shpella e Dragobisë, tropiku i Gaforres, vargmali i Andeve etj. 

Shënim 2. Mbiemrat që janë pjesë përbërëse të emrave gjeografikë, sikurse shihet edhe nga shembujt e mësipërm, shkruhen kurdoherë me shkronjë të madhe: 

Curraj i Epër, Drini i Bardhë, Drini i Zi, Kanali i Madh, Kurveleshi i Poshtëm, Labova e Sipërme, Malësia e Madhe, Mali i Zi, Myzeqeja e Vogël, Prespa e Madhe, Prespa e Vogël etj. 

Shënim 3. Të gjitha pjesët përbërëse të emërtimeve zyrtare të shteteve fillojnë me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjave): 

Despotati i Epirit, Mbretëria e Nepalit, Perandoria Osmane, Perandoria Romake e Lindjes, Perandoria Romake e Perëndimit, Principata e Arbërisë, Principata e Lihtenshtajnit, Republika Arabe e Egjiptit, Republika Demokratike Gjermane, Republika Demokratike e Vietnamit, Republika Franceze, Republika e Korçës, Republika Popullore e Kinës, Republika Popullore e Shqipërisë, Republika e San-Marinos, Republika Socialiste e Rumanisë, Republika e Venedikut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. 

Shënim 4. Emrat e anëve të horizontit dhe mbiemrat e formuar prej tyre shkruhen me shkronjë të madhe (me përjashtim të nyjës), kur përdoren si emërtime njësish territoriale (gjeografike ose historike) ose si pjesë të këtyre emërtimeve: 

vallet tona të Jugut, popujt e Lindjes, Lindja e Largme, Lindja e Mesme, shtetet e Perëndimit, kryengritjet e malësorëve të Veriut, popujt e Veriut etj.; 

Amerika e Jugut, Italia e Jugut, Poli i Jugut, Vietnami i Jugut, Evropa e Veriut, Irlanda e Veriut, Koreja e Veriut, Poli i Veriut, Shqipëria e Veriut, Vietnami i Veriut etj.; 

Amerika Jugore, Evropa Jugore, Shqipëria Jugore, Evropa Juglindore, Azia Juglindore, Evropa Lindore, Gjermania Lindore, Mesdheu Lindor, Evropa Perëndimore, Gjermania Perëndimore, Afrika Veriore, Amerika Veriore, Shqipëria Veriore, Shqipëria Veriperëndimore etj.; 

Kur emrat dhe mbiemrat e mësipërm përdoren për të shënuar një drejtim ose një pikë të horizontit, shkruhen me shkronjë të vogël: u nisën drejt veriut; era fryn nga lindja; në drejtim veriperëndimor etj. 

Shënim 5. Emërtimet gjeografike shkruhen me shkronjë të madhe, edhe kur përdoren me kuptim të figurshëm: 

Borovë (masakër fashiste), Munih (marrëveshje me fashizmin), Dien Bien Fu, Stalingrad, Vaterlo (disfatë e rëndë ushtarake).