Emërtimet e funksioneve zyrtare e shoqërore më të larta, titujt më të lartë të nderit në RPSH dhe emërtimet e urdhrave e të medaljeve shtetërore shkruhen me shkronjë të madhe (të gjitha fjalët që hyjnë në përbërjen e tyre, me përjashtim të nyjave); po kështu veprohet edhe në rastet e ngjashme në kumtimet e në dokumentet zyrtare: Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë; Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor; Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë; Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë; Presidenti i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë; Sekretari i Parë i Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë; Presidentja e Bashkimit të Grave të Shqipërisë; Hero i Popullit; Hero i Punës Socialiste; Mësues i Popullit; Artist i Popullit; Urdhri i Flamurit; Urdhri i Punës i Klasit të Parë; Urdhri i Lirisë; Urdhri «Naim Frashëri»; Medalja e Trimërisë; Medalja e Punës etj. Emërtimet e titujve të tjerë të nderit shkruhen me shkronjë të madhe vetëm në fjalën e parë: Artist i merituar, Mësues i merituar, Mjeshtër i sportit etj.[1] [1] Emërtimet e titujve të nderit vihen në thonjëza, kur përdoren menjëherë pas fjalës «titull», si ndajshtim i paveçuar me presje: iu dha titulli «Hero i Popullit», — «Hero Punës Socialiste», — «Artist i Popullit» etj., por: Heroi i Popullit Qemal Stafa, Mësuesi i Popullit Aleksandër Xhuvani, Mjeshtri i sportit N.N. etj. |