§ 73

« § 72 § 74 »

Emërtimet e funksioneve shtetërore, politike e ushtarake, të gradave, të titujve fetarë etj. Shkruhen me shkronjë të vogël: 

ministri i Ndërtimit N.N., deputeti i Kuvendit Popullor N.N., kryetari i Komitetit Ekzekutiv N.N., presidenti i Republikës, perandori Kostandin, mbretëresha Teuta, sulltan Murati II; 

sekretari i Komitetit të Partisë, anëtari i Byrosë Politike, anëtari i Sekretariatit të KQ, sekretari i KQ, komisari i korpusit, komisari i batalionit, ambasadori N.N.; 

komandanti i regjimentit, komandanti i korpusit, komandanti i brigadës, shefi i shtabit, admirali N.N., mareshali Vatutin, gjenerali Dombrovski, major Petrit Bardhi, toger Skënder Petrela; 

dukë Gjin Tanushi, princi Karl Topia, kont Niketë Topia, vojvodë Janosh Huniadi, Ali pashë Gucia, Mehmet pashë Bushati, Ali bej Evrenozi; 

anëtari i Akademisë së Shkencave N.N., profesor N.N., docent N.N., doktor profesor Aleksandër Xhuvani, bashkëpunëtor i vjetër shkencor N. N.[1]

papa Kalisti III, peshkopi Pal Engjëlli, at Shtjefën Gjeçovi, imzot Luigj Bumçi, sheh Mustafa Tetova etj. 

Kur emërtimet e mësipërme janë bërë pjesë e pandarë e një emri të përveçëm, ato shkruhen me shkronjë të madhe: 

Baba Faja, Hoxha Tahsini, Kont Urani, Madam dë Stal, Papa Kristo Negovani, Princ Vidi etj. 



[1] Kur këto emërtime përdoren më vete (jo në fjali), siç ndodh zakonisht në rastet kur u drejtohemi personave përkatës, në nënshkrimet, si edhe në renditjen e emërtimeve në fjalë në dokumentet zyrtare, ato shkruhen me shkronjë të madhe si në formën e plotë, ashtu edhe në formën e shkurtuar.