Shkruhen me shkronjën e parë të madhe emrat e mbiemrat e përveçëm, të cilët, megjithëse përdoren për të shënuar një kategori të caktuar njerëzish, nuk janë kthyer në emra të përgjithshëm: janë të rrallë në histori Gjergj Kastriotët; kemi edhe ne Homerët tanë; një Promete i ditëve tona etj. Shënim. Kur emrat e përveçëm të njerëzve janë kthyer në emra të përgjithshëm që shënojnë tipin përkatës, shkruhen me shkronjë të vogël: ciceron, donkishot, gobsek, harpagon, kuisling, mecen, mentor etj. Me shkronjë të vogël shkruhen edhe emërtimet e njësive të matjes, të mjeteve teknike, të sendeve etj., të cilat burojnë nga emra të përveçëm: amper-i, om-i, vat-i, volt-i, zhul-i; dizel, ford, mauzer, rëntgen etj. |