Zhvillimi i gjuhës letrare shqipe në këta tridhjetë vjet të ndërtimit të shoqërisë socialiste është një nga treguesit e shumtë të lulëzimit të pashembullt e të pandalshëm të kulturës së popullit tonë. Gjuha letrare shqipe ka arritur në një fazë të tillë zhvillimi, që na lejon të pohojmë shkencërisht se populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar. Kjo gjuhë letrare, e cila mbështetet gjerësisht në gjuhën e folur të popullit, përdoret sot si mjet zhvillimi e përparimi pothuajse nga të gjithë shqiptarët, brenda e jashtë Republikës Popullore të Shqipërisë, dhe është bërë modeli i normës gjuhësore të përbashkët për të gjithë ata që shkruajnë shqip. Shprehja e parë dhe më e dukshme e këtij njësimi është vendosja e normave të njëjta e të qëndrueshme drejtshkrimore. Përparimi i madh që është arritur në kristalizimin e normës letrare kombëtare e bënë plotësisht të mundshme edhe zgjidhjen e kësaj detyre historike. Njësimi i drejtshkrimit pasqyron procesin e thellë e të ndërlikuar të kristalizimit të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore të gjuhës letrare kombëtare në të gjitha hallkat e saj më të rëndësishme. Prandaj, njësimi i drejtshkrimit, si rrjedhim ligjësor i këtij procesi dhe si shfaqje e fazës së fundit të kristalizimit të normës letrare, parakupton dhe vulos njësimin strukturor të gjuhës letrare të përbashkët për gjithë popullin tonë. Njëkohësisht ai bëhet një fuqi vepruese që e lehtëson, e shpejton dhe e rrënjos më thellë këtë njësim, duke e ndihmuar gjuhën letrare kombëtare t'i kryejë më mirë funksionet e saj shoqërore. Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia themelore e drejtshkrimit si në aspektin thjesht gjuhësor, ashtu edhe në aspektin kulturor e shoqëror. Kjo kërkon që «Drejtshkrimi i gjuhës shqipe» të ketë parasysh jo vetëm gjendjen e sotme të gjuhës sonë letrare, por edhe prirjet kryesore të zhvillimit të saj të mëtejshëm. Breza të tërë lëvruesish e studjuesish të gjuhës, arsimtarësh e atdhetarësh kanë punuar e janë përpjekur pareshtur për një gjuhë letrare e për një drejtshkrim të njësuar, duke përkrahur vijën konvergjente të procesit gjuhësor, duke kundërshtuar e kapërcyer qëndrimet e ngushta, lokaliste e reaksionare. Vendosja e një alfabeti të vetëm pas Kongresit të Manastirit ishte një hap i rëndësishëm përpara në këtë rrugë dhe një bazë e domosdoshme që i dha mundësi «Komisisë Letrare të Shkodrës» (1916-1917) të kodifikonte përfundimet kryesore të përpjekjeve të bëra gjatë Rilindjes për gjuhën letrare kombëtare, duke ruajtur sa më shumë të përbashkëtën, atë që i afronte variantet letrare të shqipes, e duke lënë mënjanë atë që i largonte. Vendimet e Komisisë Letrare, të miratuara edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920), u bënë baza e drejtshkrimit të shqipes deri në vitet e para pas Çlirimit. Me përkrahjen e gjerë që gjetën te forcat shoqërore përparimtare, ato krijuan një traditë deri diku të qëndrueshme për shkrimin e njësuar të mjaft tipave fonetikë e morfologjikë të fjalëve e të trajtave që më parë dalloheshin në shkrim. Por Komisia nuk mund të krijonte një drejtshkrim të njësuar, përderisa vetë gjuha letrare nuk ishte njësuar. Kjo detyrë i mbeti epokës sonë. Pas përpjekjeve të para që u bënë menjëherë pas Çlirimit dhe punës së vijueshme për të ecur më tej në rrugën e afrimit drejtshkrimor të varianteve letrare, e cila u kurorëzua me «Ortografinë e gjuhës shqipe» të vitit 1956, zhvillimi i vrullshëm i gjuhës letrare dhe sukseset e gjuhësisë sonë në njohjen e gjithanshme e të thelluar të strukturës së shqipes së sotme krijuan kushtet që në fushën e drejtshkrimit të bëhej një hap cilësor përpara — të vendosej një drejtshkrim i vetëm për një formë të vetme të gjuhës sonë letrare. Ky hap ishin «Rregullat e drejtshkrimit të shqipes», që u botuan si projekt më 1967. Zbatimi i këtij Projekti, brenda e jashtë Republikës Popullore të Shqipërisë, gjatë këtyre pesë-gjashtë vjetëve dhe diskutimi shkencor e krijues i tij treguan se ai mund të shërbente si bazë për të hartuar në trajtë përfundimtare drejtshkrimin e gjuhës sonë letrare kombëtare të njësuar. Pas sesioneve shkencore të vitit 1952 për gjuhën letrare, gjuhësia jonë, duke e zgjeruar përherë fushën e saj të kërkimeve, bëri hapa cilësore përpara në përvetësimin e metodologjisë materialiste-dialektike të njohjes dhe të shpjegimit të fenomeneve shoqërore dhe sidomos të teorisë marksiste-leniniste mbi gjuhët letrare kombëtare, duke kapërcyer një varg konceptesh të gabuara, të trashëguara nga e kaluara. Ajo provoi, në bazë të një analize shkencore objektive, se në kushtet e reja të krijuara pas Çlirimit, nga fuqizimi i pashembullt i bashkëveprimit ndërmjet varianteve letrare të shqipes u arrit të formohej një gjuhë e vetme letrare kombëtare me prirje të qarta drejt njësimit përfundimtar në të gjitha nivelet e strukturës së saj — në fonetikë, në gramatikë, në formimin e fjalëve e në leksik. Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i mbledhur si forumi më i lartë shkencor gjithëkombëtar për të diskutuar e për të marrë vendime të rëndësishme për gjuhën tonë letrare dhe për drejtshkrimin e saj, i zhvilloi punimet e tij duke mbajtur parasysh e duke theksuar këtë arritje historike të zhvillimit të shqipes letrare. Kongresi u udhëhoq në punën e tij nga një perspektivë e qartë — jo zgjidhje të veçanta, të shkëputura, anësore, por zgjidhje sistemore, thelbësore, për ta zgjeruar e për ta rrafshuar rrugën e njësimit e të përparimit të gjuhës letrare të përbashkët. Vështrimi i problemeve në tërësinë e tyre e në lidhjet e ndryshme midis tyre, duke u nisur nga kuptimi i drejtë i sistemit të gjuhës së sotme letrare shqipe dhe i mjeteve e i mënyrave të shprehjes e të paraqitjes së tij, e ndihmoi Kongresin të zhvillonte një punë me vlerë të veçantë për gjuhën e për kulturën tonë kombëtare. Përfundimet e Kongresit shprehën në Rezolutën e miratuar njëzëri, që po ribotohet në këtë libër, me qëllim që lexuesi të ndihmohet për të kuptuar më mirë parimet dhe çështjet themelore të «Drejtshkrimit të gjuhës shqipe», i cili pasqyron e mishëron vetë konceptet shkencore e kërkesat e njëzëshme të Kongresit të Drejtshkrimit. Duke vënë në jetë këto koncepte e kërkesa, Komisioni hartues i «Drejtshkrimit të gjuhës shqipe» është përpjekur që, në frymën e Kongresit, të sjellë përmirësime të mëtejshme e ta çojë më përpara zgjidhjen teorike e praktike të problemeve të drejtshkrimit në mënyrë ballësore. Rregullat e drejtshkrimit janë parë, nga njëra anë, brenda vetë sistemit të tyre tërësor dhe, nga ana tjetër, në lidhje të ngushtë me sistemin e gjuhës letrare shqipe në përgjithësi, veçanërisht me sistemin fonetik, morfologjik e fjalëformues. Në pajtim me vendimet e Kongresit, Komisioni hartues ka synuar që ta mbështetë drejtshkrimin sa më gjerë në elementet e përbashkëta të gjuhës kombëtare shqipe, duke i parë këto elemente kurdoherë në dritën e zhvillimit të gjuhës letrare. Parimi fonetik, si parim themelor i drejtshkrimit të shqipes, sipas të cilit fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme shkruhen ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar, është zbatuar, në radhë të parë, në aspektin e tij fonologjik, domethënë në aspektin e përdorimit social të tingujve të gjuhës gjatë procesit të marrëdhënieve midis njerëzve. Si mbështetje për zbatimin e këtij parimi ka shërbyer shqiptimi i sotëm letrar në stilin e tij të plotë, duke pasur parasysh njësimin që është arritur në këtë shqiptim në një shkallë të gjerë, prirjet e kristalizimit të mëtejshëm të tij dhe karakterin sistemor të strukturës fonetike të gjuhës letrare. Parimin fonetik Komisioni hartues është përpjekur ta gërshetojë në mënyrë të harmonishme me parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore që shkaktohen prej ligjeve fonetike që veprojnë sot në gjuhën tonë. Gërshetimi i parimit morfologjik me parimin fonetik ndihmon për të ruajtur sa më të qartë në shkrim strukturën e fjalëve dhe njësinë e trajtave të tyre. Ai u jep rregullave të drejtshkrimit një lidhje të brendshme më organike, krijon mundësi për grupime më të gjera e për rrafshime, pra edhe për rregulla më të pakta e më të thjeshta. Krahas parimeve të mësipërme, në disa raste është zbatuar edhe parimi historik-tradicional. Kjo lidhet jo vetëm me trashëgiminë që kemi pasur në drejtshkrim nga e kaluara, por edhe me rrethanën që nga bashkëveprimi i varianteve letrare me baza dialektore të ndryshme kanë hyrë në gjuhën letrare kombëtare fjalë e grupe fjalësh, ortogramet e të cilave sot nuk mund të përfshihen në tipin sistemor të përgjithshëm. Shumë herë ato kanë krijuar edhe çerdhe fjalëformuese dhe ndryshimi i drejtshkrimit të tyre do të ishte historikisht i papërligjur. Në shkrimin e fjalëve njësh, ndaras ose me vizë në mes është pasur parasysh parimi leksiko-semantik e fjalëformues: janë shkruar njësh ato njësi kuptimore që janë formësuar edhe si njësi të vetme fonetiko-gramatikore e leksikore, domethënë si fjalë më vete, ndërsa ndaras janë shkruar ato njësi që nuk janë formësuar si fjalë të tilla. Për shkrimin me vizë lidhëse në mes janë pasur parasysh një varg tiparesh leksiko-semantike të fjalëve a të emërtimeve përkatëse. Parimi semantik është zbatuar në disa raste edhe te çështjet gramatikore, p.sh. në trajtat e ndryshme të shumësit të emrave që shënojnë frymorë e jofrymorë dhe në disa raste të tjera te përdorimi i shkronjave të mëdha, por këtu pjesa më e madhe e zgjidhjeve mbështeten edhe te parimi i dallimit të njësive homonimike. Në pajtim me vetë parimin themelor të drejtshkrimit të shqipes, që është parimi fonetik, dhe me parimet e tjera që përmendëm më lart, rregullat janë grupuar në kapituj sipas çështjeve drejtshkrimore më të rëndësishme që paraqet struktura fonetike e leksiko-semantike e shqipes së sotme letrare. Veç kësaj, ashtu si në Projektin e 1967-s, edhe në «Drejtshkrimin e gjuhës shqipe» është përfshirë një kapitull ku trajtohen nga një kënd vështrimi drejtshkrimor disa çështje gramatikore, zgjidhja e të cilave në kohën tonë ka rëndësi të posaçme për njësimin e normës letrare në këtë fushë. Në kapitujt është trajtuar në radhë të parë leksiku i përgjithshëm. Vise-vise gjatë rregullave janë dhënë edhe emra të përveçëm njerëzish e vendesh që paraqesin të njëjtat probleme drejtshkrimore si emrat e përgjithshëm. Duke synuar për rregulla përgjithësuese e për pakësimin e numrit të shënimeve e të përjashtimeve, Komisioni hartues, në raste të veçanta, ka lënë jashtë disa fjalë ose emra të përveçëm që përdoren rrallë dhe që, për shkak të veçorive drejtshkrimore që kanë, nuk mund të bashkohen me grupet tipësore, me të cilat lidhen. Fjalët e mësipërme do të përfshihen në «Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe», ndërsa fjalët që kanë secila nga një veçori drejtshkrimore, por që përdoren më dendur, janë vënë në shënime të veçanta ose si përjashtime në paragrafët përkatës të «Drejtshkrimit të gjuhës shqipe». Për ta bërë këtë libër sa më të kuptueshëm e të afërt për masat e gjera punonjëse Komisioni hartues është përpjekur të bashkojë zgjidhjen e rreptë shkencore me thjeshtësinë e rregullave. Për këtë qëllim lënda është ndarë në grupime sa më të gjera e të përgjithshme dhe vetë formulimet e përkufizimet janë thjeshtuar. Zgjidhjet dyfishe janë pakësuar deri në cakun më të tejmë. Thjeshtime e saktësime të dukshme janë bërë sidomos në kapitullin e ndarjes së fjalëve në fund të rreshtit. Krahas kësaj, gjithë shtjellimi i lëndës është bërë më i lidhur e më sistematik se në Projektin e 1967-s. Rregullat e këtij drejtshkrimi janë në përgjithësi tre tipash: a) rregulla udhëheqëse, ku jepen kushtet, në të cilat duhet zgjedhur pikërisht një mënyrë e caktuar shkrimi dhe jo një tjetër (në këto raste janë dhënë si shembuj vetëm disa nga fjalët më të përdorshme të kategorisë përkatëse, sepse lexuesi mund të orientohet vetë me lehtësi për rastet e tjera të ngjashme); b) rregulla dëftuese, ku nuk jepet ndonjë kusht a arsyetim, por vetëm tregohet se si duhet shkruar kjo ose ajo fjalë (në raste të tilla jepen si shembuj të gjitha fjalët e asaj kategorie ose shumica e tyre; kur këto kategori janë mjaft të gjera, si p.sh. fjalët me h ose ato me rr, jepen ato që përdoren më dendur në gjuhën letrare e në të folurit e përditshëm); c) rregulla udhëzuese, që sqarojnë se si duhet vepruar për të gjetur zgjidhjen e saktë drejtshkrimore. Për të lehtësuar shfrytëzimin e kësaj vepre dhe gjetjen e zgjidhjes që kërkohet, ajo është pajisur me një tregues alfabetik të shembujve që janë dhënë gjatë shtjellimit të rregullave dhe me një tregues të çështjeve të trajtuara. Në këtë tregues janë zbërthyer në çështje të veçanta të gjithë paragrafët me pikat e tyre, duke përfshirë këtu edhe shënimet, nënpikat, shtesat e sqarimet që trajtojnë kategori e grupe të caktuara. Duke botuar «Drejtshkrimin e gjuhës shqipe» Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave të RPSH po fillon të vërë në jetë detyrat e mëdha e të rëndësishme që i ngarkoi Kongresi i Drejtshkrimit. Në dy vjetët e ardhshëm do të hartohen gjithashtu «Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe», «Rregullat e drejtshqiptimit» dhe «Rregullat e pikësimit». Gjuhësia shqiptare, e cila ka qenë vazhdimisht e lidhur me problemet themelore që ka shtruar para saj vetë jeta, ka nisur një punë të organizuar për studimin e gjuhës së sotme letrare, duke synuar që, krahas veprave teorike, të përgatitë mbi baza të shëndosha shkencore edhe një varg veprash që i shërbejnë drejtpërdrejt vetë praktikës gjuhësore, që ndihmojnë masat e gjera punonjëse ta përvetësojnë e ta zhvillojnë më tej gjuhën letrare të shkruar e të folur. Një kujdes i veçantë po u kushtohet nga gjuhësia jonë punimeve në fushën e kulturës së gjuhës, të cilat nuk mund të zhvillohen në mënyrë të veçuar e të shkëputur, por janë mbështetur e do të mbështeten në studime sa më të thelluara në fushën e fonetikës e të fonologjisë, të gramatikës, të leksikut e të formimit të fjalëve. Studimet në fushën e gjuhësisë normative do të pasurohen e do të lehtësohen edhe nga dialektologjia shqiptare, e cila, duke ecur më tej në rrugën e dialektologjisë sociale, do të merret më shumë me proceset e gjalla gjuhësore që zhvillohen sot në shtresat e ndryshme të bartësve të dialekteve e me marrëdhëniet ndërmjet dialekteve e gjuhës letrare, do të studjojë më gjerësisht sidomos gjuhën e qyteteve e të qendrave të reja industriale e bujqësore dhe do të ndihmojë kështu për të njohur më thellë normën e sotme kombëtare. ⁂ Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar është një fitore e madhe e popullit shqiptar, e arritur vetëm 60 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë dhe në më pak se 30 vjet pas vendosjes së pushtetit popullor. Kjo gjuhë letrare e përpunuar dhe e zhvilluar, shprehje e gjallë e kulturës së popullit tonë, e forcës së tij jetësore historike, është fryt i përpjekjeve të shumë brezave që kanë punuar e luftuar me vetëmohim dhe me bindje të thellë për rëndësinë e suksesin e çështjes së tyre. Drejtshkrimi i njësuar do ta bëjë gjuhën tonë letrare të sotme edhe më të harmonishme e do ta pasurojë me një vlerë të re, me njësinë e shkrimit, që përbën kurdoherë një vlerë shoqërore, sepse lehtëson kumtimin midis njerëzve dhe zhvillimin e përgjithshëm kulturor të masave. Puna për përvetësimin dhe zbatimin me përpikëri të drejtshkrimit del tani në plan të parë. Detyra të mëdha shtrohen në mënyrë të veçantë përpara shkollës shqiptare, vatrës themelore të formimit gjuhësor të brezave të rinj. Përvetësimi e zbatimi tërësor i këtij drejtshkrimi ka nevojë të ndihmohet nga një punë metodike e gjerë dhe e organizuar, sidomos në shkollën tetëvjeçare, ku kërkohet një përvetësim krijues i drejtshkrimit, në pajtim me moshën e me njohuritë e përgjithshme gjuhësore të nxënësve dhe me veçoritë e të folmeve lokale. Krahas kësaj, në kushtet e sotme, kur po vendoset për herë të parë në historinë e shqipes letrare një drejtshkrim i njësuar, një punë e madhe u del përpara edhe shkollave të mesme e shkollave të larta. Në përpjekjet për përvetësimin sa më të vetëdijshëm e të qëndrueshëm të drejtshkrimit të njësuar e të normës letrare kombëtare, bashkëpunimi i ngushtë e i frytshëm i shkencës sonë gjuhësore me shkollën do të forcohet e do të zgjerohet gjithnjë më shumë. S'ka dyshim se një ndihmë të pazëvendësueshme do të japin për përhapjen e drejtshkrimit të njësuar shkrimtarët shqiptarë, të cilët, me fjalën e gjallë artistike, luajnë një rol të dorës së parë në zhvillimin e pasurimin e gjuhës letrare, në zbulimin e pasurisë gjuhësore të popullit dhe në formimin, vendosjen dhe përhapjen e normës letrare, pjesë e pandashme e së cilës është edhe norma drejtshkrimore. Në luftën për një zbatim të shpejtë e të saktë të rregullave të reja drejtshkrimore, rëndësi të veçantë ka gjithashtu puna e gjallë e institucioneve botuese dhe e organeve të shtypit, rritja e pandërprerë e kujdesit të tyre për fjalën e shkruar. Duke pasur parasysh se gjuha e shkrimit udhëheq gjithë procesin e ngulitjes e të zhvillimit të normës letrare, drejtshkrimi i njësuar krijon mundësi të reja edhe për përmirësimin e mëtejshëm të gjuhës së skenës, të radios e të të gjithë sferës gojore të gjuhës letrare shqipe. Dalja e «Drejtshkrimit të gjuhës shqipe» dhe vënia e tij në jetë, pa dyshim, do ta gjallërojnë, do ta pasurojnë e do ta çojnë më tej mendimin shkencor në këtë fushë. Zhvillimi i pandërprerë i vetë gjuhës sonë, kristalizimi i mëtejshëm i normës letrare do të shtrojnë para teorisë së drejtshkrimit çështje të reja e mundësi të reja zgjidhjeje. Gjuhësia shqiptare do t'i vazhdojë studimet për këto probleme dhe do t'i bëjë këtij «Drejtshkrimi» përmirësimet e nevojshme në të ardhmen. Me ndjenjën e një përgjegjësie të thellë ndaj detyrave që shtroi Kongresi i Drejtshkrimit dhe ndaj gjithë opinionit shkencor e shoqëror shqiptar, Komisioni hartues është përpjekur që ta kryejë këtë vepër në nivelin e kërkesave shkencore të kohës e sidomos të arritjeve më të reja të gjuhësisë shqiptare. Punimet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe diskutimi popullor i zhvilluar para tij kanë qenë një mbështetje e sigurtë për të ecur me guxim në rrugën e njësimit sa më të plotë të drejtshkrimit të gjuhës sonë e për të zgjidhur një varg çështjesh të vështira e të ndërlikuara. Me rastin e botimit të kësaj vepre, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave të RPSH falënderon delegatët e pjesëmarrësit e Kongresit të Drejtshkrimit si edhe gjithë ata që morën pjesë në diskutimin e gjerë popullor rreth projektit të «Rregullave të drejtshkrimit të shqipes», për ndihmën e çmuar që i dhanë teorisë dhe praktikës së drejtshkrimit të shqipes me kumtesat e me diskutimet e tyre, me mendimet, vërejtjet e propozimet e tyre krijuese, të cilat qenë një mbështetje shumë e vlefshme për punën e Komisionit hartues. S'ka dyshim se, duke u mbështetur në këto forca të gjalla shkencore, gjuhësia marksiste shqiptare do të zgjidhë në të ardhmen edhe probleme të tjera të rëndësishme për shkencën e kulturën tonë kombëtare. |