§ 99

« § 98 § 100 »

Nuk ndahen në fund të rreshtit: 

  1. fjalët e përbëra të shkurtuara si: 

    RPSH, PPSH, BPSH, BRPSH, ATSH, BRSS, FIFA, ISIS, KEMP, KK, KONARE, NATO, NB, NIL, NISH, NTLAI, NTLAP, NTSHAI, NTSHAP, OKB, PK, PS, PTT, RDGJ, RSR, SEATO, SHBA, UP etj.; 

  2. prapashtesa e një numërori rreshtor të shënuar me shifra arabe dhe nyja e prapme e mbaresat në ato raste kur shkruhen me vizë lidhëse (shih § 68, pikat gj, j, l): 

    Kongresi i 6-të, Internacionalja e 2-të, shekulli i 20-të etj.; SMT-ja, PTT-së, TEC-it etj.; dhe-ja, pse-ja, ah-et dhe oh-et etj.; 

  3. shkurtimet e tipave: 

    a.i. (ad interim), b.f. (bie fjala), d.v. (dora vetë), e.r. (era e re), f.v. (fjala vjen), p.sh. (për shembull) etj.; 

  4. emërtimet e veçanta të mjeteve teknike, si edhe emërtimet e ngjashme konvencionale, në përbërjen e të cilave hyn edhe një numër i shënuar me shifra (shih § 68 pika i); shkurtimet e njësive të masave dhe shenjat e përqindjes e të përmijës nga shifra që u prin: 

    TU-104, Boing-707, Gaz-69, Mig-21; 35 cm, 50 dm, 40 km, 28 800 km2, 90 ha, 3 m3, 200 g, 35 kg, 70 kv, 2 l; 100%, 112%, 30‰ etj.; 

  5. shenja e paragrafit dhe numri e shkronja që vijnë pas saj, si edhe shkurtime të tjera që shënojnë nënndarje të kapitujve, neneve etj.; 

    § 12, § 12 a, § 67 Ba, Kreu IV, Kreu VI c etj.; 

  6. numrat që përmbajnë një thyesë dhjetore: 

    15,5; 0,06; 10,53 etj.; 

  7. shkronjat e një dyshkronjëshi: 

    da-lloj (e jo dal-loj), ha-rroj (e jo har-roj), pe-sha (e jo pes-ha), hu-dhër (e jo hud-hër) etj.