§ 98

« § 97 § 99 »

Ndarja e fjalëve në fund të rreshtit bëhet sipas këtyre rregullave: 

  1. Bashkëtingëllorja që ndodhet ndërmjet dy zanoresh shkon me zanoren që vjen pas: 

    ba-rra, bre-dhi, de-ti, do-ra, gë-zim, li-sat, lu-le, mi-ku, ndri-çim, ple-pi, po-pu-lli, pu-në, shpre-sa, xi-xë-llo-nja etj. 

  2. Kur ndërmjet dy zanoresh ndodhen dy a më shumë bashkëtingëllore, ndarja në fund të rreshtit është e lirë, mjafton që të paktën bashkëtingëllorja e fundit e togut përkatës të kalojë në krye të rreshtit me zanoren pasuese; nga dy ose më shumë ndarje të mundshme të një fjale duhet parapëlqyer ajo që ruan më të qartë kufijtë e pjesëve të kuptimshme të fjalës: 

    ko-dra  ose  kod-ra     
    hu-dhra  »  hudh-ra     
    shu-fra  »  shuf-ra     
    ko-fsha  »  kof-sha     
    ve-gla  »  veg-la     
    la-kra  »  lak-ra     
    ko-krra  »  kok-rra     
    ve-pra  »  vep-ra     
    po-sta  »  pos-ta     
    mu-shka  »  mush-ka     
    vi-shnje  »  vish-nje     
    ku-shti  »  kush-ti     
    la-vdi  »  lav-di     
    ek-skavator  »  eks-kavator     
    ek-skursion  »  eks-kursion     
    ek-speditë  »  eks-peditë     
    ek-sport  »  eks-port     
    fu-nksion  »  fun-ksion     

    të-mblat  »  tëm-blat  ose  tëmb-lat 
    the-mbra  »  them-bra  »  themb-ra 
    lu-ndra  »  lun-dra  »  lund-ra 
    qe-ndra  »  qen-dra  »  qend-ra 
    që-ndroj  »  qën-droj  »  qënd-roj 
    hë-ngra  »  hën-gra  »  hëng-ra etj. 

    por: korr-je, lodh-je, ndjek-je, ngec-je; i këtej-më, e nesër-mja, i par-më, i pas-më; e ardh-shmja, i brend-shëm, i buj-shëm, i dhimb-shëm, e dhimb-shme, e më-tej-shme, e nder-shme, e nder-shmja, të ngadal-shmit, e paprek-shme, ë pavdek-shme, e përbot-shme, e përbot-shmja, e përjav-shmja, i përkoh-shëm, e për-koh-shme, e përkoh-shmja, e vrull-shme; i flak-të, i pes-të, i shesh-të etj. 

    Shënim. Bashkëtingëllorja j e ndjekur nga një bashkëtingëllore tjetër lidhet gjithmonë me zanoren që i prin: kuj-tim, laj-thi, maj-tas, mbruj-ta, paj-toj, vaj-ta etj. 

  3. Kur në një fjalë vijnë dy zanore njëra pas tjetrës ato mund të ndahen në fund të rreshtit: 

    vëlla-it, xhaxha-it; ka-ut, va-ut; mete-or; atdhe-ut, kre-ut, muze-ut; e di-el, di-ell, mi-ell, qi-ell; ari-ut, bari-ut, njeri-ut, shi-ut, veri-ut; blu-aj, du-ajt, gru-as, kru-aj, ku-adër, (por edhe kua-dër), ku-arc, mu-aj, punu-ar, ru-aj, sku-adër (por edhe skua-dër), shkru-an; ku-otë (por edhe kuo-të), dy-er, fy-ell, kthy-er, ly-ej, ly-ejmë, thy-ej, thy-ejmë etj. 

    Në shkrimin e trajtave si mësuesi, sulmuesi, përkthyesit etj. dhe në fjalët e prejardhura si i arsyeshëm, i pathyeshëm etj. të parapëlqehen ndarjet më-sue-si, sulmue-sin, përkthye-sit etj.; i arsye-shëm, i pathye-shëm etj. 

  4. Ndarja në fund të rreshtit e fjalëve të përbëra e të përngjitura, si edhe e fjalëve të formuara me parashtesa që përdoren edhe si fjalë më vete në gjuhën e sotme, bëhet në kufirin e pjesëve përbërëse të tyre; kur paraqitet nevoja për ndarjen e vetë pjesëve përbërëse, zbatohen rregullat e mësipërme: 

    hekur-udhë ose he-kurudhë ose hekuru-dhë (por jo heku-rudhë); bashk-atdhetar ose bashkatdhe-tar (por jo ba-shkatdhetar); gjith-monë ose gjithmo-në; i shum-anshëm ose i shuman-shëm; mos-ardhje ose mosardh-je (por jo mo-sardhje); për-emër ose përe-mër (por jo pë-remër); i për-jetshëm ose i përjet-shëm etj.