Shkruhen me vizë lidhëse në mes:
-
formimet e përftuara nga përsëritja e një fjale në të
njëjtën trajtë ose në trajta të ndryshme, nga bashkimi i dy antonimeve, i dy
numërorëve themelorë (për të shënuar një sasi të përafërt), formimet
onomatopeike të përftuara nga përsëritja e një fjale në të njëjtën trajtë ose
në trajtë të ndryshuar:
copë-copë, çika-çika, duar-duar, fije-fije, fletë-fletë,
grigje-grigje, grupe-grupe, gunga-gunga, herë-herë, kokrra-kokrra,
kortarë-kortarë, kuti-kuti, lara-lara, lloj-lloj, ngjyra-ngjyra, palë-palë,
petë-petë, pika-pika, pjesë-pjesë, radhë-radhë, rripa-rripa, shkallë-shkallë,
togje-togje, tufa-tufa, thela-thela, valë-valë, vende-vende, vise-vise,
vrima-vrima, xhunga-xhunga, zhele-zhele etj.; dita-ditës, dora-dorës,
hera-herës, këmba-këmbës etj.; njëri-tjetri, shoqi-shoqin etj.; çalë-çalë,
fort-fort, gati-gati, hollë-hollë, rëndë-rëndë, shumë-shumë, vonë-vonë etj.
aty-këtu, hyrje-dalje, (punëtorët e) ngarkim-shkarkimit,
poshtë-lart, pritje-përcjellje, vajtje-ardhje etj.;
dy-tri orë, dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet, 10-15 vjet,
katër-pesë veta, pesë-gjashtë ditë, 5-6 ditë, afate dy-tremujore, periudha
njëzet-tridhjetëvjeçare etj.;
bam-bam, ciu-ciu, dër-dër, fiu-fiu, ham-ham, hum-hum,
kuak-kuak, llap-llap, osh-osh, tak-tak, zdruj-zdruj etj.; bam-bum, fap-fup,
gau-giu, ham-hum, paf-puf, tik-tak etj.; gëk-mëk, lecka-pecka, qorr-morr etj.;
-
emërtimet e përbëra të njësive të matjes:
ditë-njeri, ditë-punë, gram-molekulë, kalë-fuqi, kuaj-fuqi,
kilovat-orë, orë-makinë, orë-normë, orë-njeri, ton-kilometër, vit-dritë etj.
Kështu shkruhen edhe emërtimet e përbëra të njësive të
ndryshme të klasifikimit: grup-kulturë, grup-mallra, grup-moshë etj.;
-
emërtimet jo të thjeshta me lidhje këpujore plotësuese
ose me lidhje përcaktore-ndajshtimore ndërmjet pjesëve përbërëse të tyre:
bar-bufe, bar-lulishte, hotel-restorant, kafe-restorant,
miniera e hekur-nikelit, (trajta) pësore-vetvetore, postë-telegraf-telefon
etj.;
dhomë-muze, shtëpi-muze, qytet-muze, qytet-hero,
dyqan-shtëpi, hotel-pension, vagon-cisternë, vagon-restorant, vinç-kullë,
vinç-urë, sëpatë-daltë, organizatë-bazë, (punimet e) shpim-kërkimit, (brigada
e) shpim-shfrytëzimit; të shpim-vlerësimit, plan-detyrë, qen-ujk etj.;
-
formimet terminologjike të tipit:
(raketa) ajër-ajër, ajër-tokë; tokë-ajër, tokë-tokë etj.;
-
formimet e tjera jo të thjeshta, kryesisht mbiemërore,
pjesët e të cilave kanë midis tyre lidhje këpujore që shprehin marrëdhënie
plotësuese ose të ndërsjellta:
agraro-industrial, analitiko-sintetik, bujqësor-industrial,
ekonomiko-shoqëror, historiko-gjeografik, politiko-kulturor, politiko-shoqëror,
tekniko-material, ushtarako-politik etj.;
afro-aziatik, anglo-amerikan, austro-hungarez, balto-sllav,
franko-gjerman, greko-romak, shqiptaro-grek, trako-ilir etj.[1];
fjalor frëngjisht-shqip, fjalor latinisht-shqip, fjalor
shqip-rusisht-frëngjisht etj.
Po kështu shkruhen: marksizëm-leninizëm, marksist-leninist,
marksiste-leniniste.
-
pjesëza ish- përpara emërtimeve të ndryshme:
ish-drejtor, ish-komandant, ish-komisar, ish-kryeqyteti,
ish-kryetari i Këshillit Popullor të Rrethit. . ., ish-ministër etj.;
-
emërtimet e përbëra të pikave të horizontit, të formuara
prej një fjale të thjeshtë dhe prej një fjale të përbërë:
jug-juglindje, jug-jugperëndim, lindje-verilindje,
perëndim-jugperëndim, veri-verilindje etj.;
-
emrat e përbërë të krahinave e të fshatrave të vendit
tonë, me lidhje bashkërenditëse, ndajshtimore ose me lidhje përkatësie:
Ballaj-Vendas, Bardhaj-Reç, Çal-Barzez, Çerkez-Morinë.
Çermë-Biçak, Dars-Fshat, Mborje-Drenovë, Nikaj-Mertur, Pezë-Helmës, Rreth-Greth
etj.; Gjeçaj--Kodër, Labinot-Fushë, Labinot-Mal, Papër-Sollak etj.,
Dushk-Peqin, Fier-Shegan, Fushë-Arrëz, Fushë-Lurë, Fushë-Muhur, Krej-Lurë,
Kulej-Papër, Lab-Martalloz, Nivicë-Bubar, Toskë-Martalloz, Ujë-Lurth,
Zall-Dajt, Zall-Dardhë, Zall-Herr etj.;
-
emrat e përbërë gjeografikë të huaj, edhe kur pjesët
përbërëse lidhen midis tyre me një parafjalë, lidhëz ose nyjë:
Alma-Ata, Alzas-Lorenë, Amu-Darja, Bab-el-Mandeb,
Brest-Litovsk, Buenos-Ajres, Dar-es-Salam, Frankfurt-mbi-Majn, Hong-Kong,
Il-dë-Frans, Komsomolsk-mbi-Amur, Kosta-Rika, Kuala-Lumpur, Nju-Delhi,
Nju-Jork, Pa-dë-Kale, Port-Artur, Port-Said, Rostov-mbi-Don, San-Francisko,
San-Hoze, San-Huan, San-Marino, San-Salvador, Santo-Domingo, Sent-Etien,
Sierra-Leone, Sierra-Morena, Sir-Darja, Tel-Aviv, Tian-Shan, Ulan-Bator etj.
Te emërtimet gjeografike, që si pjesë të parë kanë një nyjë
të përparme në gjuhët përkatëse, ndërmjet saj dhe pjesës tjetër nuk vihet vizë
lidhëse: La Paz, La Plata, La Valeta, Los Anxhelos etj.
-
emrat ose mbiemrat e huaj të personave të përbërë prej dy
a më shumë pjesësh:
Abu-Ali, Abu-Ali-Ahmet, Frederik Zholio-Kyri, Ge-Lisak,
Ibn-Batuta, Ibn-Rusta, Ibn-Sina, Mak-Donald, Mamin-Sibirjak, Mari-Luizë, Martin
Andersen-Neksë, Mendelson-Bartoldi, Rimski-Korsakov, Saltikov-Shedrin,
Sen-Sans, Sen-Simon, Sen-Zhyst, Zhan-Zhak Ruso etj.
Shënim 1. Kur midis emrit dhe mbiemrit të një personi të
huaj ndodhet një nyjë ose një pjesëz, këto zakonisht shkruhen veç: Antonis van
Dajk, Dora d'Istria, Fergys O Konor, Gi dë Mopasan, Leonardo da Vinçi, Lope de
Vega, Mahmud al Kazhgari, Miguel de Cervantes, Shon O Kejsi, Vincent van Gog,
Zhanë d'Ark etj.
Shënim 2. Pjesët përcaktuese të mbiemrave të personave
shkruhen pa vizë lidhëse e pa kllapa: Aleksandër Dyma Biri, Gavril Dara Plaku,
Gavril Dara i Riu, Katoni i Ri etj.
Shënim 3. Pjesa -ogllu e emrave të burimit turk shkruhet
njësh me emrin vetjak përkatës: Osmanogllu, Pazvanogllu etj.
Shënim 4. Gjymtyrët përbërëse të emrave dhe të mbiemrave
kinezë, koreanë, vietnamezë e birmanë shkruhen veç e veç, pa vizë në mes: Fan
Dinj Fung, Li Sun Sin, Lu Sin, Ngujen Van Troi etj.
-
numërorët rreshtorë, kur vetë numri ose një pjesë e tij
shënohet me shifra arabe:
klasa e 2-të, kreu i 4-t, e 5-ta A, Kongresi i 6-të,
shekulli i 20-të, viti i 29-të i Çlirimit, i 74-ti, i 50-mijëti ose i 50
000-ti, i 200-milionti ose i 200 000 000-ti etj.
Po kështu shkruhen: 400-shi 500-shi, 900-shi, 300 000-shi
ose 300-mijëshi etj.
Kur numërori rreshtor shkruhet me shifër romake, përdoret pa
prapashtesë dhe pa nyjë të përparme:
klasa I, Kongresi V, Kreu XVI, viti XXIX i Çlirimit, Gjergj
Balsha I, Luigji XIV, Mehmeti II etj.
Shënim. Numërorët rreshtorë që shënojnë shkallët e
përgjegjësisë në organizatat shoqërore, në ushtri etj., shkruhen gjithnjë me
shkronja e jo me shifra romake:
kapiten i parë, piloti i dytë, sekretari i parë i Komitetit
të Partisë të ..., sekretari i dytë i ambasadës etj.
-
emërtimet e përvjetorëve dhe formimet e ngjashme me to,
kur numërori shënohet me shifër:
50-vjetori i Pavarësisë; 25-vjetori i themelimit të Partisë;
shkolla 8-vjeçare; 15-ditëshi i parë i shtatorit; 30-vjetëshi i parë i
shekullit XIX etj.
Por, kur numërori shënohet me shkronja, fjala shkruhet si një
e vetme, pa vizë në mes: pesëdhjetëvjetori i Pavarësisë; pesëqindvjetori i
vdekjes së Skënderbeut; njëzetepesëvjetori i themelimit të Partisë; shkolla
tetëvjeçare; pesëmbëdhjetëditëshi i parë i shtatorit etj.;
-
emërtimet e veçanta të mjeteve teknike, si edhe emërtimet
e ngjashme konvencionale, në përbërjen e të cilave hyn edhe një numër i shënuar
me shifra:
B-52, Boing-707, F-100, 11-18, Gaz-69, Mig-21, T-34, TU-104,
U-2, Apolo-14, Kozmos-130; Plani D-4, Agjenti J-33 etj.
Po kështu shkruhen edhe numrat e telefonave dhe të targave
të automjeteve, kur përbëhen nga grupe shifrash p.sh.:
27-51, 25-09, 41-44, 55-70, 55-76;
BR 68-65, DR 42-68, ER 50-52, KO 43-93, TR 03-97, UP
05-06-50 etj.;
-
emërtimet e shkurtuara të institucioneve, të zyrave, të
ndërmarrjeve, të organizatave etj.; viza lidhëse në këtë rast vihet midis tyre
dhe nyjës së prapme ose mbaresës:
SMT-ja e Lushnjës, punonjësit e NB-ve, Komiteti Qendror i
BRPSH-së, sesioni i 28-të i OKB-së, Shtabi i ABD-së, korrespondentët e ATSH-së,
nëpunësit e PTT-së, oxhaku i TEC-it, anëtarët e BRASH-it, rregullorja e FIFA-s
etj.;
-
emërtimet e përbëra nga një pjesë e shkurtuar dhe nga një
pjesë e plotë:
NI-Kimike, NI-Profarma, NI-Pyjore, NI-Qelqi, NI-Tulla etj.;
-
shkronjat, numrat (kur shkruhen me shifra), pjesët e
pandryshueshme të ligjëratës, si edhe elemente që nuk janë pjesë të ligjëratës,
kur përdoren si emra dhe marrin tregues të trajtave rasore:
a-ja; b-ja; vëru pikat ë-ve; vër pikën mbi i-në; d-ja është
bashkëtingëllore; y-ja është zanore; të gjendet x-i etj.; 1-ja; 2-ja; 3-ja;
7-a; 15-a; kryengritja e 1911-s; ngjarjet e 1924-s, aksionet kryesore gjatë
1943-së etj.; e-ja, dhe-ja, as-i janë lidhëza këpujore; kuptimet e -tar-it si
prapashtesë; zë-ja është prapashtesë zvogëlimi; pse-ja është ndajfolje pyetëse
etj.;
-
komandat ushtarake të përbëra nga dy ose më shumë pjesë;
viza lidhëse në këtë rast vihet midis pjesëve përbërëse të tyre:
Para-marsh!, Me vrap-marsh!, Prapa-ktheu!,
Gjysmëdjathtas-kthehu!, Në vend-numëro!, Skuadër-ndal!, Skuadra,
djathtas-kthehu!, Në krah-armë!, Pranë këmbës-armë!, Në sup-armë!, Në
krahaqafë-armë!, Djathtas-ndero!, Togë-ndal!, Toga-mblidhu!, Bajonetë-drejto!,
Bajonetë-përkul!, Për nder-armë!, Armë-zbraz!, Majtas-eja në radhë!
Largësi-zmadho!, Rrip-zgjato!, Kompania, në vijë togë-kolonë-mblidhu!,
Batalioni, në vijë kompani-kolonë-mblidhu! etj.
[1] Kur
formimet e këtij tipi shënojnë njësi etnike ose gjuhësore të ngulitura
historikisht, shkruhen pa vizë në mes, si fjalë të vetme: anglosakson, (gjuhët)
indoevropiane, istrorumanishtja, retoromanishtja, serbokroatishtja etj.
|