§ 67

« § 66 § 68 »

Shkruhen njësh të gjitha ato njësi që nga pikëpamja leksikore përbëjnë një fjalë të vetme[1] dhe ndaras ato njësi që janë pjesë e një togfjalëshi, e një lokucioni ose e një emërtimi të përbërë. 

  1. Shkruhen njësh, si një fjalë e vetme, pa vizë në mes: 

    1. fjalët me parashtesa: 

      antifashist, antiimperialist, i derisotshëm, joantagonist, (folje) jokalimtare, jokapitalist, joproletar, jozyrtar, kundërsulm, kundërvënie, i mëparshëm, i mëvonshëm, mospërfillje, mossulmim, nëndrejtor, nënndarje, nëntoka, i paaftë, paaftësi, i pabesë, i papërshtatshëm, parregullsi, i parregullt, pasiguri, i pashkollë, i pashpresë, i paraçlirimit, parafytyrim, i parakohshëm, parashkollor, (periudha) e pasluftës, prapaskenë, riatdhesim, sipërmarrje etj.; 

    2. fjalët e përbëra me lidhje përcaktore ndërmjet gjymtyrëve të tyre: 

      anarkosindikalist, armëpushim, asimzenelas, (i, e) ashtuquajtur, bajramcurras, bakërpunues, ballëgjerë, ballëhapur, ballëlart, bashkatdhetar, bashkëjetesë, bashkëveprim, besëlidhje, besëpakë, bishtdhelpër, bojargjend, bojëbizele, bojëçelik, bojëfinjë, bojëgështenjë, bojëgrurë, bojëgjak-e, bojëlimon, bojëmanushaqe, bojëmjaltë, bojëportokall, bojëshegë, bojëtjegull, bojëtullë, bojëvjollcë, bojuthull, bollujsë, botëkuptim, breshkujëse, buzëpaqeshur, buzëqeshur, datëlindje, dëmshpërblim, ditëlindje, disavjeçar-e, dobiprurës, dorëcung, dorështrënguar, dorëzonjë, dredhalesh, dritëshkurtër, druprerës, duarkryq, duarlidhur, duarplot, dyfish, dyvjeçar, dhjetëgarëshi, dhjetëvjeçar, elektromagnetik, elektromekanik, faqebardhë, faqekuq, fatpadalë, fjalëformim, fjalëkryq, fletanketë, fletëdalje, fletëhyrje, fletëlavdërim, fletërrufe, flokëgështenjë, flokëpakrehur, flokëverdhë, fotoekspozitë, fotoreporter, fuqiplotë, furrnaltë, frymëmarrje, gurgdhendës, gurkali, gjeneralkolonel, gjeneralmajor, gjuhëlopë, gjuhënuse, gjysmagjeli, gjysmanalfabet, gjysmëhënë, gjysmëkoloni, gjysmëproletar, gjysmëzyrtar, hekurkthyes, hekurudhë, hirplotë, ideoestetik, jashtëshkollor, juglindje, katërkëndësh, këmbëkryq, këmbëngulje, këpucëbërës, kokëfortë, kokëshkëmb, kokulur, korparmatë, krahabishtshkulë, krahëhapur, kryekomandant, kryemjek, kryemjeshtër, kryeqytet, kryeredaktor, kryeradhë, kryerresht, kryetrim, kryevend, kryeveteriner, kundëradmiral, kundërpeshë, kundërpërgjigje, kundërsulm, kundërveprim, leshracullufedredhur, letërnjoftim, liridashës, luftanije, luftënxitës, luledele, lulefilxhan, lulelakër, lulemëllagë, lulemustak, luleshqerrë, luleshtrydhe, lulëgjake, lulëkuqe, marrëveshje, mesoburrë, mosmarrëveshje, mustaqepadirsur, nacionalçlirimtar, (shtresa) naftëgazmbajtëse, ndihmësministër, ndihmësmjek, ndihmësveteriner, neofashist, orëndreqës, paqedashës, paraardhës, paradhënie, paragjykim, parakalim, pararojë, pesëgarësh, pesëmbëdhjetëditëshi, pikëmbështetje, pikënisje, pikëpamje, pikëpyetje, pikësynim, pjesëmarrës, pjesëmarrje, i porsaardhur, i porsalindur, postbllok, prapambetje, praparojë, prapavijë, procesverbal, projektbuxhet, projektplan, pulëbardhë, pulëdushke, qindvjetori, qymyrguri, radiodhënës, radiomarrës, radiopërhapje, rrobalarëse, rrobaqepës, rrugëdalje, socialdemokrat, symbyllurazi, sypatrembur, syshqiponjë, syzi, shkozëbardhë, shkozëzezë, i shumanshëm, shumëfishi, shumëfishoj, tejkaloj, tejpamës, (e kryer) e tejshkuar, teneqepunues, tetorëshi, trefish, trevjeçar, truprojë, udhëheqës, udhëheqje, udhëkryq, ultratingull, vajguri, vajgursjellës, vendburim, vendkalim, vendlindje, vendqëndrim, vendrojë, vendvarrim, vetëshërbim, vetëvendosje, vojokushas, vullnetmirë, zemërgur, zemërmirë, zëvendëskryeredaktor, zëvendësministër etj. 

      Shënim. Kur njëra nga gjymtyrët e një fjale të përbërë është e formuar prej pjesësh që lidhen me lidhëzat e ose a, këto pjesë shkruhen me vizë midis tyre: 

      gjuhëhelm-e-thikë, dorë-e-këmbargjendeja, gushë-e-llërë-e-gjibardhoshe, shpirt-e-zemërmadh etj. 

      Kur gjymtyrët e para të dy a më shumë fjalëve të përbëra, të renditura njëra pas tjetrës, përcaktohen nga një gjymtyrë e përbashkët, që, për arsye shkurtimi, shënohet vetëm një herë, pas tyre vihet një vizë lidhëse: 

      (lejë) dy- a triditëshe, (botime) dy- e mëshumëvëllimëshe, (paketë) katër- a pesëkilogramëshe, (ndërtesa) një- a mëshumëkatëshe, (periudha) e para- dhe pasçlirimit, (enë) pesë-, dhjetë- dhe njëzetlitërshe, (ndërtesa) pesë- dhe gjashtëkatëshe, (kamionë) tre-, pesë- dhe shtatëtonësh, (moshat) tridhjetë-, dyzet- dhe pesëdhjetëvjeçare etj. 

    3. fjalët e përbëra, gjymtyrët e të cilave kanë lidhje këpujore ndërmjet tyre, kur ato janë njësuar plotësisht si nga ana leksikore, ashtu edhe nga ana gramatikore: 

      ballafaqe, deledash, dritëhije, fytafyt, gushtovjeshtë, hekurbeton, juglindje, juglindor-e, këmbadoras, marrëdhënie, pulagjel, shitblerje, shurdhmemec, verilindje, verilindor, veriperëndim, veriperëndimor, veshmbathje etj.; 

    4. fjalët e përbëra e të përngjitura, të cilat janë ngulitur prej kohësh si të tilla në gjuhë, si nga ana leksikore, ashtu edhe nga ana gramatikore: 

      emra: (ditët e) djegagurit, ecejaket, farefis, fëshfëshe, gjëegjëzë, qoftëlargu, rraketake, shtrojerë, shtojzavalle, taketuke, thashetheme etj.; 

      mbiemra: i pakundshoq, (i, e) pandonjëtëmetë, (i, e) patëmetë, (i, e) pavënëre etj.; 

      numërorë: numërorët themelorë që nga njëmbëdhjetë deri më nëntëmbëdhjetë, ata që tregojnë dhjetëshe, qindëshe, si edhe numërorët rreshtorë, pavarësisht nga numri i pjesëve përbërëse të tyre: 

      njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, trembëdhjetë... nëntëmbëdhjetë; tridhjetë, pesëdhjetë, gjashtëdhjetë, nëntëdhjetë etj.; njëqind, dyqind, treqind, katërqind etj.; 

      (i, e) njëmbëdhjetë, (i, e) dymbëdhjetë, (i, e) njëzetenjëtë, (i, e) tridhjetenëntë, (i, e) pesëdhjetegjashtë, (i, e) njëqindedytë, (i, e) pesëqindegjashtëdhjetekatërt, (i, e) njëmijekatërqindepesëdhjeteshtatë, (i, e) njëmiliontë, (i, e) njëmilionepesëqindmijekatërqindeshtatëdhjetetretë, (i, e) njëmiliardtë etj.; 

      përemra të pakufishëm: akëcili, akëkush, akësecili, asgjë, askurrkush, askush, asnjeri, asnjë, asnjëri, cilido, cilëtdo, çdo, çdonjëri, çfarëdo, diçka, dikush, disa, gjëkafshë, gjësendi, gjithçka, gjithfarë, gjithkush, gjithsecili, gjithsekush, kurrfarë, kurrgjë, kushdo, mosgjë, moskush, mosnjeri, ndoca, ndokush, ndonjë, ndonjëri, pakkush, rrallëkush, secili, secilido, sekush, sikush, shumëkush, tjetërkush etj.; 

      ndajfolje e parafjalë: afërmendsh, anembanë, asgjëmangut, askund, askurrë, asnjëherë, asodore, aspak, atëbotë, atëherë, ballaballas, ballafaqas, brendapërbrenda, brezahypthi, buzagaz, dalngadalë, doemos, domosdo, dosido, drejtpërdrejt, drejtpërsëdrejti, duarplot, gjithandej, gjithaq, gjithashtu, gjithherë, gjithkah gjithkund, gjithmonë, gjithnjë, gjithsaherë, hëpërhë, kalaqafë, kësisoj, këmbëcingthi, kësodore, kurrkund, kryekëput, kryekreje, matanë, mbasandaj, mbasdite, medoemos, menjëherë, mezi, mënjanë, mirëfilli, moskund, moskurrë, mosnjëherë, ndërdysh, ndërdyshas, ndërkohë, ndërmjet, ndonjëherë, ndopak, (më vjen) ndoresh, ngadita, ngado, ngaherë, ngandonjëherë, nganjëherë, (zë) ngoje, (marr) ngrykë, njëditëzaj, njëfish, njëherazi, njëherë, njëlloj, njëmend, njënatëzaj, njëzëri, padashur, pakmos, paksa, paksëpaku, papritmas, parandej, pardje, pareshtur, parmbrëmë, parvjet, paskëtaj, pasnesër, patjetër, përballë, përbrenda, përbri, përditë, përdhe, përdhuni, përfaqe, përfundi, përgjithmonë përgjumësh, përgjysmë, përherë, përjashta, përjetë, përkëtej, përkrah, përkundra, përkundrejt, përmbrapa, përmendsh, përmes, përnatë, përnjëherë, përnjëherësh, përnjëmend, përpara, përpjetë, përplot, përposh, përqark, përreth, përsëri,përsipër, përtej, prapëseprapë, qëkur, qëmoti, qëparë, rrallëherë, sakaq, sakaqherë, sidokudo, sidoqoftë, shpeshherë, tatëpjetë, tejetej, tejembanë, tejpërtej, tekdo, topgropthi, vetvetiu etj.; 

      lidhëza: derisa, domethënë, gjersa, gjithsaherë, kurse, megjithatë, megjithëkëtë, megjithëqë, megjithëse, meqenëse, meqë, mirëpo, ndërsa, ndonëse, ndoqë, ngaqë, ngase, nëse, përderisa, përveçqë, përveçse, poqë, porsa, porse, porsi, posa, prejse, qëkurse, saku, sapo, sesa, siç, sikur, sikurse, tekqë, teksa, veçse etj.; 

      pjesëza: kushedi, pikësëpari, pothuaj, pothuajse, seç, thuajse etj.; 

      pasthirrma: obobo, ububu, falemnderit, faleminderit, lamtumirë, mirëmëngjes, mirëdita, mirëmbrëma, mirupafshim, tungjatjeta etj. 

      Shënim. Dallohen në shkrim ndajfoljet: atëherë, njëherë, përse, qëkur (qyshkur), lidhëzat nëse, ngase, sesa, pjesëza seç nga përdorimet e pjesëve përbërëse të tyre si fjalë të veçanta: 

      kam qenë i vogël atëherë; atëherë, po vij edhe unë me ju, por: as këtë herë, as atë herë; njëherë e një kohë, por: vjen një herë në javë; përse nuk erdhi?, por: për se është fjala?: kam qëkur (qyshkur) që po të pres, por: që kur ra dëborë u ftoh moti; 

      nëse nuk vjen, më shkruaj, por: në se e mbështet ti këtë mendim?; nuk erdhi ngase s'kish kohë, por: nga se bëhet letra?; më mirë të vdesësh më këmbë, sesa të rrosh i gjunjëzuar, por: nuk e di se sa është ora; 

      seç këndon bilbili, por: nuk e di se ç'i ka ngjarë. 

    5. mbaresa dhe nyja e prapme tek emrat e mbiemrat e huaj të personave e të vendeve: 

      poemat e Bajronit, «Don Kishoti» i Cervantesit, operat e Çajkovskit, letrat e Dora d'Istrias, jeta e Engelsit, «Dasma e Figaros», veprat e Gëtes, vendlindja e Glinkës, veprat e Leninit, skulpturat e Mikelanxhelos, veprat e Rabëlesë, novelat e Stefan Cvajgut, tragjeditë e Shekspirit, «Lufta dhe paqja» e Tolstoit, operat e Verdit, romanet e Viktor Hygoit, tregimet e Xhek Londonit etj.; 

      porti i Akrës, Ankaraja, ishulli i Borneos, ngushtica e Gjibraltarit, popullsia e Honolulusë, fushat e Irakut, pyjet e Kongos, kryeqyteti i Paraguait, rrugët e Rio-de-Zhanejros, ishulli i Rodosit, ishulli i Tahitit, Republika e Zambias etj.

  2. Shkruhen ndaras: 

    1. togfjalëshat e tipit emër në emërore + emër në rasën rrjedhore, gjymtyrët e të cilëve ruajnë pavarësinë e tyre morfologjike: 

      bar blete, bar ethesh, bar gjaku, bar miu, bar peshku, bar veshi, bar zemre, lule blete, lule dhensh, lule gjaku, lule sahati, lule sapuni, lule shqerrash, vaj peshku etj. 

      Po kështu shkruhen edhe togfjalëshat me kuptim mbiemëror, të përbërë nga emrat bojë ose ngjyrë dhe një emër në rrjedhore: 

      bojë (ngjyrë) argjendi, bojë (ngjyrë) ari, bojë arre, bojë deti, bojë dheu, bojë gruri, bojë hiri, bojë limoni, bojë mishi, bojë mjalti, bojë plumbi, bojë preshi, bojë qielli, bojë shege, bojë tulle, bojë ulliri, bojë uthulle, bojë vaji etj. 

      Shënim. Në pajtim me përdorimin e sotëm emërtimet gjel deti, lule dielli, panxhar sheqeri mund të shkruhen edhe njësh, si fjalë të vetme: gjeldeti, luledielli, panxharsheqeri. 

    2. ndajfoljet dhe lokucionet ndajfoljore si: së afërmi, së bashku, së dyti, së fundi, së jashtmi, së larti, së paku, së pari, së toku, së thelli; më së fundi, më së miri; për së afërmi, për së gjalli, për së largu, për së mbari etj.; 

      më dysh, më tresh, më katërsh; për një, për dy, për tre etj.; 

    3. lokucionet ndajfoljore të formuara nga dy fjalë, të njëjta ose të ndryshme, të lidhura në mes tyre me një parafjalë ose me lidhëzën e

      këmbë mbi këmbë; dita me ditë, nata me natë; buzë më buzë, dorë më dorë, gojë më gojë, grykë më grykë, kokë më kokë, kot më kot, krah më krah, majë më majë, qoshe më qoshe, sy më sy, thikë më thikë, vesh më vesh; ca nga ca, dy nga dy, një nga një, pak nga pak, tre nga tre; rrugë pa rrugë, punë pa punë; brez pas brezi, herë pas here, kohë pas kohe; aty për aty, ballë për ballë, ditë për ditë, dorë për dorë, dhëmb për dhëmb, fjalë për fjalë, krah për krah, mes për mes, mot për mot, një për një, pikë për pikë, sot për sot, sy për sy, tani për tani, vit për vit etj.; 

      fund e krye, fund e majë, kokë e këmbë, lesh e li; qesh e ngjesh; shkel e shko; mirë e tumirë, keq e tukeq; mbarë e prapë, rreth e (për)qark, rreth e rrotull, veç e veç etj.; 

    4. ndërtimet e tipit me ose për + emër në kallëzore të pashquar, me vlerë kryesisht ndajfoljore: 

      me ditë, me hir, me kohë, me natë, me ngut, me padurim, me pahir, me radhë, me rend, me vrap; për shembull, me të pabesë etj., po kështu edhe (më ra) ndër mend; (e la) pas dore etj. 

    5. numërorët themelorë të formuar me pjesëmarrjen e fjalëve mijë, milion, miliard etj. dhe pjesët përbërëse të një numërori themelor, të lidhura me lidhëzën e

      një mijë, dy mijë, tri mijë, dhjetë mijë, pesëmbëdhjetë mijë, dyzet mijë, dyqind mijë, një milion, dy milion..., një miliard, dy miliard... etj.; 

      njëzet e një, njëzet e shtatë, tridhjet e dy, dyzet e katër, shtatëdhjetë e tre, njëqind e një, njëqind e trembëdhjetë, treqind e pesëdhjetë e katër, një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tre, njëzet e tetë mijë e katërqind e pesëdhjetë e shtatë, një milion e pesëqind mijë e dyqind e dymbëdhjetë etj.; 

    6. lokucionet parafjalore ose lidhëzore si: 

      aq sa; ashtu si; deri ku, deri kur, deri në, deri te; duke qenë se; edhe pse, edhe sikur; gjer kur, gjer në, gjer te; kaq sa; kështu që; kurdo që; mjaft që; në është se, në qoftë se; në mënyrë që, në rast se; ngado që; po qe se, po të jetë se; që në, që se, që te; qysh se; sado që; sapo që; si edhe; sido që; tekdo që; vetëm se etj.; 

    7. shprehjet emërore për qind, për mijë etj.; 

      pesë për qind, qind për qind, njëqind e pesëdhjetë e pesë për qind, dyqind për mijë; 8 për qind, 120 për qind, 50 për mijë etj.[2]

    8. pjesëza u e trajtave pësore-vetvetore, kur ndodhet para foljes: 

      u afrova, u kërkua, u lodhëm, u nisëm etj.; 

    9. lokucionet pasthirrmore që shprehin përshëndetje, urime, falënderime, ngushëllime etj., pjesët përbërëse të të cilave e ruajnë pavarësinë e tyre gramatikore: 

      Mbeçi me shëndet!, Mirë ardhshi!, Mirë ju gjetshim!, Mirë se erdhe!, Mirë se ju gjeta!, Mirë se erdhët!, Mirë se na erdhët!, Mirë se vjen!, Mirë se na vjen!, Mirë se vini!, Mirë se të vini!, Puna mbarë!, Punë të mbarë!, Udha mbarë!, Udhë të mbarë!, Mbarë pastë!, Nga mot gëzuar!, E paçim me jetë!, Për shumë vjet!, Për shumë vjet gëzuar!, Qofshi shëndoshë!, Me shëndet!, Shëndet paç!, Shëndet paçi!, Shëndet paçin! etj.; 

      Ju falemi nderit!, Të falem nderit! etj.; 

      Kryet shëndoshë!, Qofshi vetë!, Të rrosh vetë!, Vetë shëndoshë! etj. 

      Po kështu shkruhen edhe: Si urdhëron!, Si urdhëroni! etj. 



[1] Për fjalët e këtij tipi që shkruhen me vizë lidhëse në mes, shih më poshtë § 68

[2] Shenjat % (për qind) dhe (për mijë) mund të përdoren vetëm pas një numri të shënuar me shifra: 5%, 90%, 80‰.