Kur pas një emri femëror të shquar të rasës gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës vijnë dy a më shumë emra femërorë në gjinore njëjës, nga këta të fundit i dyti e të tjerët pas tij marrin nyjën së e jo të në rastet kur këta përcaktojnë emrin në gjinore që ndodhet menjëherë përpara tyre; por në rastet kur këta përcaktojnë jo emrin në gjinore që ndodhet menjëherë përpara tyre, po atë që ndodhet para atij, shkruhen me nyjën të e jo së: punimet e tharjes së kënetës së fushës së Thumanës; përmirësimi i cilësisë së racës së lopës së Shkodrës etj.; zhvillimi i industrisë së naftës të Shqipërisë (është fjala për industrinë [e naftës] të Shqipërisë); themelimi i Partisë së Punës të Shqipërisë (është fjala për Partinë [e Punës] të Shqipërisë); Komiteti Qendror i Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë; punonjësit e bujqësisë të zonave malore etj. |