Kur një emër femëror në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës përcaktohet nga dy ose më shumë mbiemra të nyjshëm (ose numërorë rreshtorë), mbiemri i dytë e të tjerët pas tij marrin nyjën të e jo së. Po kështu veprohet edhe kur mbiemri i parë është i panyjshëm ose kur emri përcaktohet njëkohësisht nga një përemër pronor dhe nga një a më shumë mbiemra të nyjshëm: (i, e, të, së) fshatarësisë së varfër e të mesme; (i, e, të, së) vajzës së urtë, të zellshme dhe të shkathët; (i, e, të, së) fushës pjellore dhe të gjerë; (i, e, të, së) cilësisë, së parë, të dytë e të tretë etj.; (i, e, të, së) vajzës së tij të dashur; (i, e, të, së) vajzës së tij të mirë e të sjellshme; (i, e, të, së) motrës së saj të dashur; (i, e, të, së) motrës së saj të dashur e të paharruar etj. Shënim. Kur mbiemrat e nyjshëm (ose numërorët rreshtorë) ndodhen përpara emrit, përdoret nyja së e jo të: lotët e së shkretës e të së pangushëlluarës nënë; t'i caktohen normat së parës, së dytës dhe së tretës kategori të punëtorëve etj. |