Kur një emër i rasës gjinore, pavarësisht nga gjinia që ka, vjen pas një emri mashkullor në rasën gjinore a dhanore të shquar njëjës, shkruhet me nyjën e përparme të, dhe kur ai vjen pas një emri femëror në po këto rasa, shkruhet me nyjën e përparme së: zyra e kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit; fuqia e krahut të punëtorëve; zbatimi i vullnetit të klasës punëtore; dëgjimi i zërit të masave punonjëse; Lavdi heroizmit të gruas shqiptare!; i jepet fjala përfaqësuesit të Frontit Demokratik etj.; historia e luftës së popullit shqiptar; fryti i punës së punëtorëve; përvjetori i shpalljes së pavarësisë; ndërtimi i fabrikës së këpucëve; çmimi iu dha minierës së qymyrgurit; pas korrjes së grurit; përpara shtëpisë së kulturës; pas stinës së pranverës etj. |