Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse, duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes. Me përjashtim të rr-së, bashkëtingëlloret dyfishe të këtyre emrave nuk ruhen në shkrim në gjuhën shqipe[1]. Kështu, shkruhen: Aligieri, Atila, Bajron, Bethoven, Bop, Brams, Çehov, Dostojevski, Dvorzhak, Dyma, Eminesku, Fadejev, Gëte, Gorki, Hajne, Hygo, Kamoensi, Karaxhale, Karduçi, Kozhbuk, Kujbishev, Lu Sin, Manxoni, Mickieviç, Monteskjë, Moxart, Myse, Pestaloci, Petëfi, Rabindranat Tagore, Rasin, Saltikov-Shedrin, Sun Jat Sen, Shekspir, Sheli, Shiler, Shopen, Shtajnbek, Tomas Man, Turgeniev, Vagner, Vilhelm Tel, Volter, Xherzhinski, Zhan-Zhak Ruso etj.; Amazona, Azerbajxhan, Bejrut, Bohemi, Bolonjë, Bombei, Bon, Bordo, Budapest, Bukuresht, Delhi, Dresden, Filipinet, Hagë, Hartum, Havai, Havanë, Helsinki, Jenisei, Johanesburg, Kajro, Kalkuta, Kaukaz, Këln, Kopenhagë, Krakov, Lajpcig, Leningrad, Lihtenshtajn, Liverpul, Lozanë, Luarë, Majakovski, Majer, Mançester, Melburn, Misisipi, Napoli, Neva, Niagara, Nju-Jork, Odesa, Onega, Oslo, Otava, Pragë, Rio-de-Zhanejro, Sahalin, Senë, Sidnei, Sofje, Stokholm, Suez, Tajlandë, Tula, Tunizi, Uashington, Valencia, Varshavë, Vyrtemberg, Xhamajka etj.; Arras, Andorra, Kamberra, Sierra-Leone etj. Shënim 1. Emrat e përveçëm të gjuhëve sllave, pavarësisht nga mënyra e shqiptimit të l-së në këto gjuhë, shkruhen përgjithësisht me l: Arhangelsk, Bajkal, Bjalistok, Blagojev, Bratislava, Dobrolubov, Glinka, Gogol, Jalta, Kaluga, Ladoga, Lermontov, Lobaçevski, Lomonosov, Lodz, Lublin, Ludmila, Lugansk, Lunaçarski, Milan, Milorad, Milosh, Mladenov, Oblomov, Pavlov, Poloni, Ruslan, Sverdlov, Tula, Ural, Vladimir, Vladivostok, Volodarski, Volodja, Vroclav etj. Shënim 2. Emrat e përveçëm më -ij të burimit rus shkruhen me -i: Belinski, Çajkovski, Dostojevski, Gorki, Musorgski, Stanislavski etj. Shënim 3. Disa emra të përveçëm me prejardhje të huaj shkruhen sipas traditës së ngulitur prej kohësh në gjuhën shqipe: Bruksel, Kazan, Korfuz, Moskë, Orel, Paris, Selanik, Stamboll, Suedi, Vjenë, Zvicër etj.[2] |