§ 22

« § 21 § 23 »

Bashkëtingëlloret e zëshme b, d, dh, g, gj, v, x, xh, z, zh shkruhen si të tilla, ashtu siç shqiptohen kur janë përpara një zanoreje, edhe kur gjenden në fund të fjalës ose në trup të saj përpara një bashkëtingëlloreje të shurdhët a përpara bashkëtingëllores n

elb (elbi), gjemb (gjembi), u kalb (u kalba), korb (korbi), lab (labi), rob (robi); invalid (invalidi), fund (fundi), kënd (këndi), hibrid (hibridi), mund (mundi), qind (qindi), standard (standardi), shkund (shkunda), vend (vendi); bredh (bredhi), dredh (drodha), gardh (gardhi), lidh (lidhëm), livadh (livadhi), ndodh (ndodhet), ndrydh (ndrydhet), zbardh (zbardha); breg (bregu), burg (burgu), djeg (djegim), larg (i largët), lëng (lëngu), i lig (i ligu), prag (pragu), shteg (shtegu), varg (vargu), zog (zogu); mos e digj (digje), ligj (ligji), u përgjigj (u përgjigjën), qengj (qengji); hov (hovi), urov (urovi); borxh (borxhi), tunxh (tunxhi), xhuxh (xhuxhi); bixhoz (bixhozi), brez (brezi), çamçakëz (çamçakëzi), dorëz (dorëza), filiz (filizi), gaz (gazi), hauz (hauzi), ndez (ndeza), njerëz (njerëzit), oriz (orizi), pullaz (pullazi), rrogoz (rrogozi); garazh (garazhi), shantazh (shantazhi) etj.; 

humbte, humbka, humbsha, humbni, i elbtë, labçe; mundte, mundka, mundsha, mundni, i mundshëm, vendqëndrim, vendstrehim, vendtakim; i bredhtë, mblidhte, mbledhka, mbledhsha, mblidhni; lagte, lagka, lagsha, lagni; digjte, digjni; hovte, hovka, hovtë, hovni, i hovshëm; ndizte, ndezsha, ndizni etj. 

Shënim 1. Emrat këndes (këndesi), mes (mesi), mëngjes (mëngjesi) shkruhen me s fundore; po kështu edhe formimet prej tyre si mesatar, mëngjesore etj. 

Shënim 2. Shkruhen me -s ndajfoljet e formuara me prapashtesën -as: baras, barkas, befas, djathtas, fshehtas, fytas, haptas, këmbadoras, krahas, majtas, rishtas (por: barazi, barkazi, fshehtazi, haptazi, rishtazi etj.).