§ 35

« § 34 § 36 »

Kur në formim fjalësh a trajtash takohen dy shkronja të njëjta, njëra prej të cilave mund të bëjë pjesë në një dyshkronjësh, ato shkruhen të dyja: 

kënddrejtë, nënndarje, kundërrevolucionar, kundërreformë, mossulmim, zëvendëssekretar; në arrittë; në mos e godittë; e gjettë e mira; në u mbyttë; ndrittë; në më prittë; në pyettë; në u trettë etj.; 

i kujdesshëm, passhkrim, i pjesshëm, leshhollë, shpeshherë, mishshitës, veshshkurtër etj. 

Shënim 1. Kur takohen shkronjat r me rr dhe l ose ll me ll, shkruhet vetëm rr ose ll: përreth; dembellëk, fodullëk, hamallëk, jeshillëk etj. 

Shënim 2. Lidhëza pasi (mbasi), e formuar nga pas + si (mbas+si), shkruhet me një s. 

Shënim 3. Trajta e vetës së tretë njëjës e së pakryerës dëftore, lidhore e kushtore të foljeve me temë më -t, në përputhje me shqiptimin e sotëm letrar shkruhet me -st dhe jo me -tt: (do të) fliste, (do të) godiste, (do të) maste, (do të) ngjiste, (do të) nuhaste, (do të) paraqiste, (do të) përshtaste, (do të) priste, (do të) shëtiste, (do të) vriste, (do të) zbriste, (do të) zbuste, (do të) zgjaste etj.