§ 23

« § 22 § 24 »

Fjalët me sh / zh / ç nistore shkruhen kështu: 

  1. me sh-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e shurdhët (f, k, p, q, t, th etj.): 

    shfajësoj, shfaq, shfaqje, shfaros, shfryj, shfrytëzoj; shkallmoj, shkarkoj, shkatërroj, (i, e) shkathët, shkëlqej, (i, e) shkëlqyer, shkëmbej, shkëput, shkombëtarizoj, shkoq, shkreh, shkrep, (i, e) shkrifët, shkrij, shkujdesem, shkul; shpalos, shpall, shpallje, shpërblim, shpërdorim, shpërndaj, shpjegoj, shpjegim, shpif, shpikje, shpoj, shporr, shprish, shpronësoj, shpyllëzim; shqep, shqetësoj, (i, e) shquar; shtjelloj, shtrydh; shthur, shthurje etj.; 

  2. me zh-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e zëshme (b, d, g, gj, v): 

    zhbart, zhbëj, zhbiroj, zhbllokoj; zhdavarit, zhdëmtoj, zhdoganoj, zhdredh, (i, e) zhdrejtë, zhduk; zhgënjej, zhgënjim, zhgërryej; zhgjakësohem, zhgjandërr; zhvat, zhvendos, zhvesh, zhvilloj, zhvillim, zhvleftësim, zhvoshk etj.  

    Shënim. Përemri ç tek të gjitha fjalët e formuara me pjesëmarrjen e tij, shkruhet kështu, pavarësisht nga bashkëtingëllorja që e pason: çdo, çdokush, çdonjëri, çfarë, çfarëdo, i çfarëdoshëm, çka, diçka, gjithçka. 

  3. me ç-, kur kjo ndiqet nga një zanore ose nga një bashkëtingëllore e tingullt (l, ll, r, rr, m, n, nj, j): 

    çarmatos, çarmatim; çorganizoj, çorganizim, çorientoj, çorientim etj. 

    çliroj, çlirim, çlirimtar, çlodhem, çlodhje; çregjistroj, çregjistrim; çrregulloj, çrregullim, (i, e) çrregullt, çrrënjosje; çmallem, çmend, çmendinë, (i, e) çmendur, çmësohem, çmos; çnderoj, çnderim, çngjyros; çnjerëzor; çjerr etj. 

    Shënim. Shkruhen me sh- fjalët shmang, shlyej, shndërroj, shndrit dhe ato që formohen prej tyre.