§ 29

« § 28 § 30 »

Shkruhen me nj e jo me j

  1. emrat femërorë me nj në trup të fjalës: 

    banjë, bitonjë, brinjë, finjë, gështenjë, mushkonjë, rrëfenjë, rrënjë, shkronjë, shushunjë, thinja-t, ujkonjë, zonjë etj.; 

  2. mbiemrat e formuar nga një temë më -nj

    (i, e) florinjtë, (i, e) drunjtë, (i, e) grunjtë, (i, e) penjtë etj.; po kështu (i, e) shenjtë, (i, e) shtrenjtë; 

  3. trajtat e shumësit të emrave mashkullorë më zanore të theksuar ose më -ua

    arinj (ari), barinj (bari), batakçinj (batakçi), çiliminj (çilimi), kallajxhinj (kallajxhi), kallinj (kalli), kërcinj (kërci), kushërinj (kushëri), minj (mi), mullinj (mulli), sharrëxhinj (sharrëxhi), turinj (turi), ullinj (ulli) etj.; po kështu shkruhet shumësi i mbiemrave më -i të theksuar: të rinj (i ri) etj.; 

    budallenj (budalla), maskarenj (maskara) etj.; 

    heronj (hero) etj.; 

    drunj (dru), hunj (hu), kërcunj (kërcu) etj.; 

    dragonj (dragua), ftonj (ftua), përrenj (përrua), thonj (thua) etj. 

    Me -nj shkruhen edhe trajtat e shumësit të emrave mashkullorë si gjarpinj, gjarpërinj (gjarpër), lëmenj (lëmë), lumenj (lumë), priftërinj (prift), shkëmbinj (shkëmb), thelpinj (thelb) etj. 

    Shënim. Shkruhen me -j shumësat: kufij (kufi), të këqij, të këqija (i keq, e keqe).