§ 26

« § 25 § 27 »

Shkruhen me i dhe jo me j

  1. trajtat rasore të njëjësit të shquar (me përjashtim të kallëzores), si edhe trajtat e gjinores, të dhanores e të rrjedhores së njëjësit të pashquar të emrave mashkullorë më -ua ose më -a të theksuar: 

    dragua - (një) dragoi, (i, e) dragoit; ftua - (një) ftoi, (i, e) ftoit; krua - (një) kroi, (i, e) kroit; pallua - (një) palloi, (i, e) palloit; përrua - (një) përroi, (i, e) përroit; vargua - (një) vargoi, (i, e) vargoit etj.; 

    baba - (një) babai, (i, e) babait (por babanë); vëlla - (një) vëllai, (i, e) vëllait (por vëllanë); 

  2. trajta e shkurtër e përemrit vetor të vetës së tretë (i), edhe kur bashkohet me një trajtë tjetër të shkurtër përemërore ose me pjesëzën u të pësore-vetvetores përpara foljes: 

    mos ia trego; ia hapi zemrën; iu mbush mendja; iu ngjit malit; çmimet iu dhanë nxënësve më të mirë etj.; 

  3. veta e tretë njëjës e së kryerës së thjeshtë të foljeve më -oj ose më -uaj

    harroi, luftoi, punoi, tregoi, vrapoi, zgjoi; shkroi etj.; 

  4. fjalët e formuara prej temash më -i të theksuar me anë prapashtesash që fillojnë me zanore: 

    bashkiak, shtëpiak-e, shtëpiar, shtiak, triak, (zile) triare etj. 

    Shënim. Shkruhet vetjak (vete-vetja), dyjar-e (të dyja).